Ilustrim

Gjakovë, i akuzuari për drogë i paarritshëm për policinë

Shaip Xhera dhe Agim Malushaj po akuzohen nga Prokuroria në Gjakovë për posedim të heroinës.

Megjithatë, kjo prokurori propozoi që ndaj Agim Malushajt të veçohet procedura pasi të njëjtit nuk i dihet lokacioni.

Prokurori Ramiz Buzhala, propozoi që ndaj Agim Malushaj, të lëshohet edhe letër rreshtim vendor.

Një propozim të tillë e aprovoi gjykatësi Shaqir Zika, i ndihmuar nga gjykatëset Ilirjana Hoti dhe Myfera Hoxha.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit tjetër Shaip Xhera, u caktua dita e nesërme për shpalljen e aktgjykimit pasi që i njëjti kishte pranuar fajësinë për posedim të drogës.

Edhe dy herë të tjera kishte dështuar seanca ndaj dy të akuzuarve.

Kujtojmë se për Agim Malushajn ishte lëshuar urdhërarrest, por policia deri më sot ende nuk ka arritur ta gjejë.

Sipas aktakuzës, me 16 prill 2019, i akuzuari Agim Malushaj pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, me qëllim të shitjes.

Aktakuza shpjegon se, Agim Malushaj është takuar me të akuzuarin Shaip Xhera dhe i ka shitur 0.16 gram heroinë.

Ndërsa Shaip Xhera, po akuzohet për posedim të paautorizuar të  substancave narkotike dhe atë një paketim të mbushur me heroinë në peshë prej 0.16 gram.