Dosja e Prokurorisë: Si u gjet heroina në trupin e të dyshuarit

Dy të akuzuar për blerje dhe shpërndarje dhe përkatësisht posedim të heroinës dështuan që sot t’i përgjigjen aktakuzës së prokurorisë para gjykatës.

Agim Malushaj që sipas prokurorisë njihet me nofkën ‘Smoki’ akuzohet se iu gjetën 3.67 gramë heroinë gjatë kontrollit të trupit.

Seanca e sotme e drejtuar nga gjyqtari Nikollë Komani u shtye për datën 30 prill, për shkak të mungesës së mbrojtjes së Agim Malushajt.

Paraprakisht mbrojtësi i të akuzuarit Agim Malushaj avokati Driton Dobruna, kishte njoftuar gjykatën që ditën e sotme do të jetë i zënë në gjykatën e Pejës përkatsisht në degën në Klinë.

Ndërkaq prokurori i rastit Ramiz Buzhala tha se seanca e sotme nuk mund të mbahet sepse i akuzuari Agim Malushaj i duhet mbrojtja e detyrueshme nga ana e avokatit të tij Driton Dobruna, i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Agim Malushaj me 25 maj 2018 në Gjakovë, hetuesit e Njesitit për Hetim e Trafikim të narkotikëve, gjatë zbatimit të masave të fshehta të hetimit kanë ndaluar të pandehurin Agim Malushaj me nofkën “SMOKI”, njëkohësisht edhe të pandehurin Ekrem Fetahi i cili  akuzohet se kishte blerë nga i akuzuari AgimMalushaj, substanca narkotike të llojit heroinë.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se gjatë kontrollimit në trupin e të pandehurit Agim, kanë gjetur një qese najloni të mbushur me substancë pluhuri ngjyrë kafe e dyshuar si substancë narkotike e llojit heroinë në peshë 3.67 gram.

“Pastaj pas ekzaminimit laboratorik i forenzikës është konstatuar se është substancë narkotike e llojit heroin në peshë 3.30 gram”,  thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Ekrem Fetahut i është gjetur 0.29 gram heroinë ku pas ekzaminimit laboratorik është konstatuar 0.11 gram narkotikë heroinë.