I akuzuari për heroinë mungon në seancë, gjykata kërkon arrestim

Shaip Xhera i akuzuari për posedim të drogës dhe Agim Malushaj për shitje e blerje të drogës nuk erdhën sot në Gjykatën e  Gjakovës.

Sot planifikohej të mbahej shqyrtimi gjyqësor, por Agim Malushaj, kishte ndërruar vendbanim dhe për këtë nuk e ka njoftuar gjykatën.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Agim Malushaj, avokati Driton Dobruna kishte njoftuar gjykatën se i njëjti e kishte revokuar autorizimin.

Prokurori i rastit Ramiz Buzhala, i propozoj gjykatës që të akuzuarit Agim Malushaj t’i lëshohet urdhërarrest dhe këtë propozim e pranoi gjykata.

Gjykatësi Shaqir Zika, caktoi datën 16 tetor për mbajtjen e seancës së radhës.

Kujtojmë se Agim Malushaj nuk e kishte pranuar fajësinë për blerje e shitje, ndërsa Shaip Xhera e kishte pranuar fajësinë për posedim të drogës.

Sipas aktakuzës, me 16 prill 2019, i akuzuari Agim Malushaj pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, me qëllim të shitjes.

Aktakuza shpjegon se Agim Malushaj është takuar me të akuzuarin Shaip Xhera dhe i ka shitur heroinën 0.16 gram.

Ndërsa Shaip Xhera, po akuzohet për posedim të paautorizuar të  substancave narkotike dhe atë një paketim të mbushuar me heroinë në peshë prej 0.16gram.