Gjakovë, arrestohet 19-vjeçari, iu gjet një "Kallashnikov" dhe një karikator

Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës sot në fshatin Rogovë të Gjakovës për posedim të paautorizuar të armës.

Sipas njoftimit, Policia gjatë kontrollit i ka gjetur të dyshuarit një pushkë automatike AK-47 dhe një karikator.

“Lidhur me informatën e pranuar se i dyshuari Z. G., i lindur në vitin 2004, posedonte armë në mënyrë të paautorizuar, me datën 13.12.2023 në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në vendbanimin e tij në fshatin Rogovë. Gjatë kontrollit në posedim të të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar: Një pushkë automatike AK47, dhe një karikator”- thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rast – armëmbajtje pa leje.

“Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”- thuhet tutje në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka inkurajuar të gjithë qytetarët për raportim të shkeljeve ligjore, qoftë në stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, e-mail adresës: [email protected] dhe numrin e telefonit kujdestar 192.