Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në Komision parlamentar, 7 mars 2022, Foto: KALLXO.com

Gërvalla: Rusia është kampion për lajmet e rreme

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Rusia është kampion për lajme të rreme.

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë derisa po raporton në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, lidhur me zhvillimet dhe veprimet pas fillimit të luftës në Ukrainë.

“Për lajmet e rreme, Rusia është kampion. Dezinformatat janë problem serioz. Institucionet e tona janë interesuar cilat janë zyrtarisht mediumet ruse. Ne bëjmë thirrje ta mbajmë më të ulët këtë pjesë të dezinformimit”, tha ajo.

Tutje Gërvalla theksoi se ndikimi rus në rajon është i madh.

“Ndikimi rus në rajonin tonë është i madh dhe i rrezikshëm. Ndikimi organizohet përmes fqinjit tonë Serbisë. Në secilin takim jam përpjekur që ta vë në pah”, tha ajo.

Gërvalla foli edhe për kërkesën që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s.

“E kemi ngrit zërin për njohjen e pesë shteteve të BE të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën. Në të gjitha format e mundshme diplomatike e kemi bërë të qartë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s. Ne punojmë fort të kapërcehen disa faza dhe Kosovës t’i ofrohet mundësia të jetë sa më afër NATO-s”, tha ajo para Komisionit.