Foto: MPJD

Gërvalla në Gjermani: Që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për sulmin në Banjskë

Në përmbyllje të vizitës së punës në Gjermani, zv.kryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, mori pjesë në diskutimin me përfaqësues të institucioneve gjermane, deputetë të Bundestagut gjerman dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Fondacioni “Körber”.

Në njoftimin e MPJD-së thuhet se ministrja Gërvalla i informoi të pranishmit për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit.

“Duke shprehur shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës” – theksohet në njoftimin e MPJD-së.

Sipas njoftimit, ministrja Gërvalla foli për të arriturat e Kosovës gjatë vitit 2023, duke e cilësuar si vit të suksesshëm.

“Jo vetëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por sidomos edhe zhvillimin ekonomik, duke shpalosur edhe proceset e saj integruese në mekanizmat ndërkombëtarë” – vazhdon njoftimi.

Përveç kësaj, në këtë takim thuhet se u diskutua edhe për anëtarësimin në Këshillin e Europës, dialogun Kosovë-Serbi, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.