Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Drafti i Asociacionit jo shumë i mirë, ka mjaft sfida

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, tha drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i propozuar nga SHBA-të dhe BE-ja është jo shumë i mirë dhe ka mjaftë sfida.

Megjithatë, ajo tha se drafti që nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës.

“Drafti nuk ofron asnjë lloj autonomie për veriun e Kosovës dhe nuk është e drejtë pyetja sepse përgjigja nuk varet nga ne. Po të ishte për ne menjëherë do ta kishim publikuar, është kërkesë e atyre që facilitojnë procesin e negociatave të cilët na kanë lutur si partnerë. Prandaj drafti është jo shumë i mirë, drafti ka mjaft sfida, respekton shumë shqetësime tona në të kaluarën dhe mendoj që është një bazë e mirë për të punuar me të”- tha Gërvalla.

Sipas saj, nga institucionet nuk ka tentativë për të pranuar drafte që janë në dëm të Kosovës.

“Unë ju siguroj që nuk ka asnjë tentativë, as një përpjekje, asnjë vullnet, as dëshirë të kësaj Qeverie, dhe në përgjithësi të institucioneve as të presidentes e as kryeministrit për të pranuar drafte të cilat janë në dëm të Kosovës”- tha ajo.

Ajo nuk ka komentuar versionet e draft statutit që kanë qarkulluar në media.

Tutje Gërvalla është pyetur nëse do të negociohet me BE-në pas marrjes së komenteve nga palët.

“Unë atë nuk mund të ju them dhe nuk kam dëshirë të ua them sepse përndryshe do të shekja marrëveshjet. Ne kemi thënë se mbas 24 shtatorit, asgjë më nuk është si në të kaluarën dhe negociata me Serbinë para sinjaleve të qarta, negociata të kohëve të vjetra nuk do të ketë më”- tha ajo.

SHBA-të dhe BE-ja i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit – një marrëveshje që rrjedh nga dialogu Kosovë-Serbi, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Dokumenti ende nuk është bërë publik zyrtarisht.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.

Kurti: Drafti i tanishëm i Asociacionit është më i avancuar, vërejtjet dhe kritikat ia kam dërguar Lajçakut