Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gazmend Agusholli pas humbjes në Pejë: Do ta përgatisim një djalë të ri për të kandiduar në zgjedhjet e radhës

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës, Gazmend Agusholli ka komentuar rezultatin zgjedhor në këtë komunë, ku Gazmend Muhaxheri i LDK-së mori mbi 50 për qind të votave dhe pritet të vazhdojë qeverisjen.

Agusholli, i cili doli i dyti me vota sipas rezultateve preliminare, në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se e ka uruar kundërkandidatin e tij Muhaxheri për fitoren.

“Po, e kam uruar përmes telefonit. Ai më ka falënderuar”, tha ai.

Kandidati i LVV-së ka theksuar se LDK-në e ka ndihmuar për fitore bashkëpunimi që pretendon, se e kanë pasur me PDK-në.

“Ata janë prej fillimit me PDK-në. Ju ka ndihmuar edhe mos kandidimi i PDK-së për shkak të rastit, kjo ka shkuar në favor të LDK-së”, tha Agusholli pwr KALLXO.com.

Ai ka shtuar se e ka pritur rezultatin e LVV-së në Pejë duke u renditur e dyta, me 8 mijë e 431 vota apo 22.36 për qind të tyre sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

“Për Vetëvendosjen në Pejë, 300 për qind e kam prit [rezultatin]. 2 mijë vota prej partisë, më tepër s’kemi mujt me pas mbështetje financiare”, shtoi ai.

Agusholli ka lënë të nënkuptohet se më nuk do të kandidojë për kryetar të Pejës.

I pyetur për angazhimet tash e tutje që do t’i ketë tha se “Angazhimi tutje do të jetë ta forcojë degën dhe me përgatitë ndonjë djalë të ri për të kandiduar”, u përgjigj ai shkurt për KALLXO.com.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh. Ndërsa, 17 prej tyre deri më tani sipas rezultateve preliminare i kanë më shumë se 50 për qind të votave.

Këto janë 21 komunat që pritet të shkojnë në balotazh