Fadil Curri. Foto:TV21/Youtube

Gati për pension, por shtetësi nuk ka! Fadil Curri konsiderohet si i rrezikshëm

Fadil Curri është i lindur në vitin 1959 në një fshat të Kosovës, vetëm 23 km larg Shkupit. Vetëm disa muaj pas lindjes, familja e tij është zhvendosur në Shkup për një jetë më të mirë.

Curri është martuar dhe ka 4 fëmijë, të gjithë posedojnë shtetësi, përveç tij. Arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë i ka kryer në Shkup, por për shkak mospasjes së shtetësisë ai nuk ka mundur të punojë në Maqedoni, andaj është detyruar të punojë në Han të Elezit (Kosovë ) si arsimtar i gjuhës shqipe dhe letërsisë.

“Tash jam mbi moshën 61 vjeçare, prej asaj kohe mbi 60 vjet unë Shkupin e konsideroj si vend timin vetëm se nuk kam lindur aty, sepse me fëmijëri, me rini  dhe të gjitha përjetimet jetësore i kam në Shkup”, theksoi Fadil Curri.

Ai shpjegoi se për një periudhë të shkurtër kohore ka pasur shtetësi, por në kohën kur ka qenë student ka kërkuar disa libra nga Shqipëria, gjë për të cilën është thirrur në polici dhe prej atëherë i është marrë shtetësia.

“E kam pasur unë shtetësinë në rininë time, por jam shpërngulur në Kosovë në vitin 1980 dhe shkak i shpërnguljes ka qenë se, në atë kohë unë isha student i gjuhës dhe kërkoja ta njihja letërsinë dhe i shkrova ministrisë së Arsimit në Shqipëri, për librat e ri që botoheshin atje, qofshin shqiptar apo botëror. Mi dërguan librat por pas 2 jave ma dërguan edhe ftesën për bisedë në polici… dhe unë u detyrova të shpërngulem në Kosovë”, tha Fadil Curri.

Para 10 vitesh, Curri ka kërkuar që t’i rinjihej shtetësia apo ta fitojë përsëri statusin e shtetasit të Maqedonisë, por përgjigjia ka qenë negative, me arsyetimin se është i rrezikshëm për sigurinë e Maqedonisë.

“Mendimi është se Maqedonia vërtet sot është me ligjet e reja, por sigurimi i Maqedonisë është ende me botëkuptimet e vjetra komuniste jugosllave. Nuk është halli im, se unë tek e fundit e kalova gati jetën time. Mirëpo janë mijëra veta në Maqedoni që e kanë hallin tim”, u shpreh Fadil Curri.

Mes tjerash, Curri shpjegoi edhe vështirësitë qe sjell mospajisja me shtetësi.

“Pengesa kam pasur shumë, se duhej të vija në shtëpinë time dhe të kërkoja leje për të qëndruar në shtëpinë time. Ose ka pasur raste kur më ka vdekur nëna, jam detyruar që edhe në mënyrë ilegale të vijë, të qëndroj, ta varros e të shkoj”, deklaroi ai.

Curri më nuk ka tentuar që të marrë shtetësinë, sepse ndjehet i dëshpëruar nga sistemi shtetëror, ndërsa tani statusi i tij është si shtetas i huaj në Maqedoni.

Sipas MPB-së thuhet se pa shtetësi janë deri në 1 mijë persona, ndërsa sipas opozitës shqiptare janë mbi 60 mijë shqiptarë pa shtetësi, për çkaa në kuvend kanë propozuar ndryshime ligjore, me të cilat do të zgjidheshin këto raste, raporton TV21./21Media