Gashi: Tenderi për insulina, arsyetimet e Ministrisë kanë qenë të pabazuara

Kimete Gashi, anëtare e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), ka thënë se arsyetimet e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e tenderit për insulina kanë qenë të pabazuara.

Në një intervistë për “Kallxo Përnime”, Kimete Gashi tha se përpara se ajo të emërohet, bordi i kaluar i OSHP-së e ka pasur vendimin e njejtë si të bordit aktual.

“Bordi i kaluar e kishte kthyer në rivlerësim. Kur e kthen bordi i kaluar në rivlerësim, Ministria e Shëndetësisë e rekomandon përsëri një operator ekonomik. Tenderi i insulinave ka qenë duke pritur në atë grumbullin e lëndëve, njëra prej tyre dhe ne e kemi hedhur si dhe e kemi quajtur si të jashtë afatit për shqyrtim” – ka thënë Gashi.

Tutje, Gashi ka thënë se edhe pse Ministria e Shëndetësisë e kishte shpallur një kompani që ka konsideruar se i ka pasur të pranueshme kërkesat, prapë nuk ka vazhduar me tender dhe në fund e ka anuluar atë.

Por, sipas Gashit, arsyetimet e anulimit nuk kanë qenë të bazuara në Ligjin për prokurimin publik.

“Dhe kur e anulon ai, është dispozita e nenit 62 të Ligjit të prokurimit që  e përcakton saktë se kur mundet me e anulu një aktivitet të prokurimit. Arsyetimet kanë qenë të pabazuara, sipas atij neni  që e lejon Ligji i prokurimit” – ka thënë Gashi.

“Në qoftë se Ministria e Shëndetësisë e kish bo një anulim, me thonë që këtu është një ndryshim i ligjit, sepse kemi konstatu se ky udhëzim nuk është i mirë për popullatën. Ministria e Shëndetësisë e ka për detyrë me gjetë një provë, një argument, një fakt se pse po don me anulu” – tha ajo.

Kimete Gashi, si anëtare e bordit të OSHP-së, është e vetmja e anëtare e këtij bordi që Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës për shkarkim, pikërisht për tenderin për insulina.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbetur i bllokuar që nga viti 2020. Kjo për shkak se Ministria e Shëndetësisë kërkon që të anulojë në tërësi këtë tender, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit konsideron se dy kompanitë ofertuese janë të përgjegjshme për tenderin dhe rrjedhimisht po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të zbatojë procedurat ligjore, për të anuluar tenderin.