Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gashi: Policia të pajiset me mjete më inteligjente për parandalimin e grabitjeve të armatosura

Kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka shprehur shqetësim në lidhje me situatën e sigurisë në Kosovë pasi, sipas tij, vendi është përballur me grabitje të armatosura.

Ai tha se e përgëzon Policinë e Kosovës për aksionin e sotëm.

“Gjatë këtyre ditëve kemi pasë një situatë të vështirë në aspektin e sigurisë ku si rrallëherë në Kosovë kemi parë një grabitje të armatosur të stilit banditesk, të paraqitjes së forcës nga grupet kriminale të cilat kanë bërë grabitje në një argjendari dhe kjo shfaqje e dhunës është një moment i alarmit dhe shqetësimit për të gjithë ne si institucione pa marrë parasysh se në cilën parti jemi”- tha Gashi.

Gashi tha se edhe mbrëmë ka pasur një grabitje e cila u pasua me vrasjen e një gruaje, teksa kërkoi nga Policia që të jetë sa më aktive të ndalojë dhe parandalojë këto dukuri që ai i quajti të rrezikshme.

“Mbrëmë kemi parë një akt tjetër të dhunës që për momentin po klasifikohet si akt dhune nën grabitje me pasojë vrasjen e një gruaje dhe në këtë rast inkurajomë Policinë e Kosovës që sa më shpejtë të zbardhi këtë rast dhe autorët ti sjellë para drejtësisë, të marrin masa ndëshkimore më të rëndë të lejuar nga ligji”- tha deputeti.

“Po kalojmë në një fazë e cila po paraqet dhe bart më vete shfaqje të dhunshme duke përdorur armatim të rëndë në publik dhe kjo është e papranueshme për ne si shoqëri dhe e papranueshme për institucionet e Kosovës. Prandaj kërkojmë edhe nga Policia që të jetë sa më aktive dhe të ndalojë e parandalojë këto dukuri, elementi që duhen të merren institucionet dhe Policia është parandalimi”- shtoi ai.

Gashi thekson se për parandalimin e këtyre dukurive duhet të ketë financim dhe se Policia duhet të pajiset me mjete dhe materiale të nevojshme më inteligjente.

“Për të pasur rezultat në parandalim duhet të ketë financim, duhet të ketë projekte të qarta policore dhe duhet të ketë qasje specifike e profesionale. Policisë së Kosovës i duhen resurse dhe burime mbi bazën e të cilave do të kryejë punët në mënyrë profesionale, pra kërkojmë që sa më shumë që është e mundur që në buxhet të reflektohet edhe kjo çështje, pra ajo e pajisjes me mjete dhe materiale të nevojshme për Policinë dhe pajisje më inteligjente që merren me parandalimin e këtyre dukurive të rrezikshme”- vlerësoi Gashi.

Shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallën menjeherë pasi Kuvendi ka filluar seancën e dytë për ditën e sotme.