Galeria Kombëtare e Kosovës. Foto: KALLXO.com.

Galeria Kombëtare "harron" pllakën me emrin e saj të vjetër

Pavarësisht se në vitin 2012 e ndërroi emrin, Galeria Kombëtare e Kosovës nuk e ndërroi edhe pllakën informuese në murin e jashtëm të objektit.

Në pjesën ballore të murit, ngjitur hyrjes së GKK-së, vazhdon të qëndrojë e varur pllaka informuese me emrin e vjetër: Galeria e Arteve e Kosovës.

Ndërsa, nuk ka ndonjë pllakë informuese për GKK-në me emrin aktual.

Kjo pllakë jo pak herë ka krijuar paqartësi për emrin zyrtar të Galerisë.

Pas shpalljes së Pavarësisë së vendit, më 17 shkurt 2008, institucionet qendrore kulturore u riemëruan si institucione kombëtare.

Nga 2012, sipas statutit, Galeria e Arteve  e Kosovës u emërtua Galeria Kombëtare e Kosovës.

Naim Spahiu, ushtrues  i detyrës së drejtorit të GKK-së ka thënë për KALLXO.com se së shpejti do të vendoset pllaka me emërtimin e ri të GKK-së.

“Kështu e kanë lënë ish- drejtorët, nuk i dimë arsyet. Vitin që shkoi kemi bërë kërkesë në MKRS me ndërru dhe më vendos pllakën e re me mbishkrimin Galeria Kombëtare e Kosovës. Presim që në javën e ardhshme të zëvendësohet”, ka thënë Spahiu, për KALLXO.com.

 

Galeria Kombëtare e Kosovës. Foto: KALLXO.com.