Pamje nga “Open Art Gallery”. Foto: KALLXO.com.

Hapet ‘Open Art Gallery’ në Prishtinë, Spahiu: Një hapësirë më shumë për prezantimin e artit pamor

“Open Art Gallery” është hapësira më e re për prezantim të punës së krijuesve pamorë. Kjo galeri është hapur në në lagjen “Çamëria” në Prishtinë.

Hapja e kësaj galerie ofron një mundësi më shumë për të plotësuar kërkesat për salla ekspozuese në kryeqytet.

Inaugurimi i hapjes së “Open Art Gallery” është bërë me hapjen e ekspozitës “Armëpushim”.

Krijuesi Naim Spahiu, themelues i “Open Art Gallery” thotë në një bisedë për KALLXO.com se hapja e kësaj galerie do të shërbejë për ekspozita, por edhe për aktivitete tjera të artit pamor.

Hapja e kësaj galerie, sipas tij, do të zbus deri diku nevojën për hapësira ekspozuese në Prishtinë. Njëherësh, ka thënë ai, kjo galeri do të jetë një mundësi për gjithë krijuesit për të pasqyruar punën e tyre.

Spahiu thotë se “Open Art Gallery” do të jetë në shërbim të krijuesve të ndryshme, jo vetëm atyre prishtinas. Pasi, siç thotë ai, kërkesat për hapësirat ekspozuese nga artistët pamorë gjithnjë janë në rritje.

“Ideja e një galeri ose një institucion shtesë në qytetin tonë është nevojë e kamotshme, kërkesa e shumë artistëve. Ne e dimë që kemi mungesë të institucioneve siç janë galeritë në qytetin tonë dhe kemi pasur një kohë goxha të gjatë që jemi munduar të krijojmë hapësira e kështu që na erdhi koha që edhe ne të japim një kontribut tonë, kjo në fakt është pronë private, por, pse jo të krijojmë një mundësi shtesë për artistët që të vijën të ekspozojnë në këtë pjesë të Kolevicës- Çamërisë që e kemi këtu” – thotë ai.

A thotë se galeria do të shërbejë edhe për organizimin e aktiviteteve të tjera të artit pamor.

Ekspozita “Armëpushim”

Bashkë me inaugurimin e galerisë “Open Art Gallery” është hapur edhe ekspozita “Armëpushimi”. Ideja për këtë ekspozitë, ka thënë Spahiu ka rrjedhë nga Elton Koritari, kurator i ekspozitës dhe Adrian Isufi.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar veprat më të reja të krijuesve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Sipas Spahiut, kuratori Koritari në bashkëpunim me Adrian Isufin, kanë bërë një seleksionim, me idenë që bashkëpunimi të mbizotërojë rivalitin mes artistëve për të sjellë prezantime sa më të mira artistike.

“Edhe vet titulli i ekspozitës është armëpushim që në një farë mënyrë edhe ne si artistë kemi nevojë të kemi për një armëpushim të mos qëndrojë në atë rivalitetin kolegial, po të krijojmë njëfarë armëpushimi ku ne mund thjeshtë të diskutojmë të krijojmë nevoja ose bashkëpunime që na duhen për një të ardhmen që thjesht prezantimet të jenë sa më profesionale” – ka thënë ai.

Spahiu ka thënë se nga fillimi i vitit të ardhshëm, “Open Art Gallery” do të përpilojë një program vjetor të ekspozitave, duke u fokusuar në disa ekspozita më reprezentative.

Kemi mjaft kërkesa nga artistë të cilët kanë projekte të ndryshme dhe nuk kanë hapësirë ku t’i ekspozojnë punimet e tyre dhe ne si galeri jemi shumë të hapur që të bashkëpunojmë me secilin artist.

Pamje nga “Open Art Gallery”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga “Open Art Gallery”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga “Open Art Gallery”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga “Open Art Gallery”. Foto: KALLXO.com.