Frikë për qindra civilë të bllokuar në fabrikën e çelikut në Mariupol

Sot, është dita e 59 e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi rus mbi Ukrainë filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe është përballur me zemërim në gjithë botën.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj këtij pushtimi.

SHBA dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Ndërkohë, zhvillimet në dhe rreth luftës në Ukrainë janë të shumta dhe të llojllojshme. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin është “vetëm fillimi” dhe se Moska ka plane për të kapur vende të tjera pasi një gjeneral rus tha se dëshiron kontroll të plotë mbi Ukrainën jugore. “Të gjitha kombet që, sikurse ne, besojnë në fitoren e jetës mbi vdekjen, duhet të luftojnë me ne. Ata duhet të na ndihmojnë, sepse ne jemi të parët në radhë. Dhe kush do të vijë më pas?” tha Zelenskiy përmes një video-fjalimi të premten vonë.

Rustam Minnekayev, zëvendëskomandanti i qarkut ushtarak qendror të Rusisë, u citua nga agjencitë shtetërore ruse të lajmeve të ketë thënë se kontrolli i plotë mbi Ukrainën jugore do t’i jepte asaj qasje në Transnistria, një pjesë separatiste e Moldavisë e pushtuar nga Rusia në perëndim.

Ministria e Jashtme e Moldavisë tha se e kishte thirrur ambasadorin e Moskës të premten për të shprehur “shqetësim të thellë” në lidhje me komentet e gjeneralit. Moldavia është neutrale, ishte deklarata e bërë nga ministria e jashtme e keëtij vendi. Moldavia muajin e kaluar aplikoi zyrtarisht për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, duke hartuar një kurs pro-perëndimor të përshpejtuar nga pushtimi i Rusisë.

Frika vazhdon të rritet për qindra civilë të ngujuar në fabrikën e çelikut Azovstal në qytetin port të rrethuar të Mariupolit, me kontingjentin e fundit të mbetur të armatosur të luftëtarëve ukrainas. Ministria ruse e mbrojtjes tha se është e gatshme t’i lejojë civilët të largohen nga fabrika e çelikut nëse forcat ukrainase dorëzohen. Por sipas Petro Andryushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, forcat ruse po vazhdojnë të hedhin bomba në këtë fabrikë.

Një tjetër varr masiv është gjetur jashtë Mariupolit, ka raportuar Associated Press, duke e cituar këshillin e qytetit dhe një këshilltar të kryebashkiakut. Këshilli i qytetit postoi një foto satelitore të siguruar nga Planet Labs, duke treguar atë që tha se ishte një varr masiv 45 metra me 25 metra që mund të mbante trupat e të paktën 1,000 banorëve të Mariupolit jashtë fshatit Vynohradne.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se “ekziston mundësia” të hapet një korridor humanitar jashtë Mariupolit të shtunën. 

Synimi i deklaruar i ministrit të mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, për të “prezantuar “metoda të reja të luftës” është një pranim i heshtur se përparimi rus nuk po shkon ashtu siç synohet”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në përditësimin e saj të fundit të inteligjencës. Ministria e Mbrojtjes tha se Rusisë do t’i duhet pak kohë për t’i ndryshuar taktikat dhe për t’i përmirësuar operacionet dhe për këtë “ka gjasa të vazhdojë të mbështetet në bombardimet si një mjet për ta shtypur opozitën ukrainase”.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje për lirimin e aktivistit të njohur të opozitës ruse Vladimir Kara-Murza, i cili u arrestua jashtë shtëpisë së tij në Moskë më 11 prill, disa orë pasi CNN transmetoi një intervistë në të cilën ai i kritikoi veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, do të takohet me Putinin në Moskë javën e ardhshme, duke kërkuar t’i jepet fund gjakderdhjes. Guterres gjithashtu mund ta vizitojë Zelenskiyn në Kiev, njoftoi OKB. Bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës kanë ngecur sërish, tha të premten ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ushtria amerikane pret që më shumë se 20 vende të marrin pjesë në bisedimet e mbrojtjes të fokusuara në Ukrainë, të cilat do të organizohen në Gjermani javën e ardhshme, të cilat do të fokusohen pjesërisht në nevojat afatgjata të mbrojtjes së Kievit, tha Pentagoni të premten.

Aleatët perëndimorë po përgatiten t’i ofrojnë Ukrainës një sërë “garancish sigurie” që duhet ta bëjnë Ukrainën “të padepërtueshëm” ndaj një pushtimi të ardhshëm rus, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, nga Press Association.

Zelenskiy ka thënë se i është “mirënjohës” Britanisë pasi Johnson njoftoi rihapjen e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kiev.

Ministria ruse e mbrojtjes ka raportuar se një marinar vdiq dhe 27 të tjerë mbeten të zhdukur pasi një nga anijet luftarake të saj kryesore, kryqëzori raketor Moskva, u fundos javën e kaluar në Detin e Zi në jug të portit ukrainas të Odesës.

Rusia i ka fshehur provat e krimeve të saj “barbare” të luftës në Mariupol duke varrosur trupat e civilëve të vrarë nga bombardimet në një varr të ri masiv që mund të mbajë deri në 9,000 të vdekur, thanë zyrtarët lokalë. Ky lajm vjen pasi një kompani amerikane e pamjeve satelitore publikoi foto që dukej se përputheshin me vendvarrezën atje.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut ka bërë të ditur se ka parë dëshmi në rritje të krimeve të luftës në Ukrainë, duke e përshkruar luftën si një “histori tmerri të shkeljeve kundër civilëve”. Komisionerja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, ka deklaruar se “pothuajse çdo banor” i qytetit të Bucha ka një histori për vdekjen e një të afërmi, një fqinji apo edhe të një të huaji./The Guardian