France24: Dhjetëra paqeruajtës të NATO-s mbesin të plagosur në përleshjet me protestuesit etnikë serbë në Kosovë
Mbi 30 paqeruajtës të dislokuar në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë kanë mbetur të plagosur të hënën në përleshjet me protestuesit serbë të cilët kërkonin largimin e kryetarëve të komunave me etni shqiptare të zgjedhur së fundmi, ndërsa tensionet kanë shpërthyer në këtë vend, shkruan rrjeti televiziv francez, France24.
Misioni i KFOR-it tha se është përballur me “sulme të paprovokuara” ndërsa iu kundërvu një turme armiqësore pasi demonstruesit u përleshën me policinë dhe u përpoqën të futeshin me forcë në një ndërtesë qeveritare në qytetin verior të Zveçanit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar mbrëmë se 52 serbë janë plagosur, tre prej tyre rëndë, ndërsa njëri është “plagosur me dy të shtëna me armë nga forcat speciale shqiptare (etnike)”, citohet të ketë thënë presidenti serb Vuçiq.
Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë ka deklaruar në Facebook se “më shumë se 20 ushtarë hungarezë” janë në mesin e të plagosurve, me shtatë prej tyre në gjendje të rëndë, por stabile.
Ministri i Jashtëm i Italisë ka deklaruar se tre nga ushtarët e saj janë të plagosur rëndë ndërkohë që kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni iu bashkua NATO-s duke bërë thirrje që “të gjitha palët të bëjnë një hap prapa për t’i ulur tensionet”.
Serbët e Kosovës i kanë bojkotuar zgjedhjet e muajit të kaluar në qytetet veriore, të cilat u lejuan shqiptarëve etnikë ta merrnin kontrollin e komunave, pavarësisht një pjesëmarrjeje të vogël prej nën 3.5 përqind të votuesve.
Qeveria e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i ka emëruar zyrtarisht kryetarët e komunave javën e kaluar, duke i sfiduar thirrjet për t’i ulur tensionet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë mbrojtur pavarësinë e territorit të Kosovës nga Serbia në vitin 2008, shkruan tutje France24.
Shumë serbë kërkojnë tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës – prania e të cilave në Kosovën veriore ka shkaktuar prej kohësh rezistencë – si dhe largimin e kryetarëve shqiptarë etnikë të cilët ata nuk i konsiderojnë si përfaqësuesit e tyre.
Fraktura dhe djegie
Të hënën herët, grupet e serbëve u përleshën me policinë e Kosovës para ndërtesës komunale në Zveçan me shumicë serbe dhe u përpoqën të hynin brenda, pas së cilës forcat e rendit u përgjigjën duke gjuajtur gaz lotsjellës, sipas një gazetari të AFP-së në vendngjarje.
Paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO në misionin e KFOR-it fillimisht u përpoqën t’i ndanin protestuesit nga policia, por më vonë filluan ta shpërndanin turmën duke përdorur mburoja dhe shkopinj, sipas gazetarit të AFP.
Disa protestues reaguan duke hedhur gurë, shishe dhe kokteje molotov mbi ushtarët, mirëpo u zmbrapsën shpejt disa qindra metra larg ndërtesës komunale të Zveçanit.
“Gjatë përballjes me skajet më aktive të turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin subjekt i sulmeve të paprovokuara dhe plagëve të pësuar, trauma me thyerje dhe djegie për shkak të shpërthimit të mjeteve ndezëse”, thuhet në një deklaratë të KFOR-it.
Njëmbëdhjetë ushtarë italianë u plagosën me “tre prej tyre në gjendje të rëndë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
“Nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme kundër KFOR-it”, ka deklaruar kryeministrja italiane, Meloni. “Është tejet me rëndësi që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet e Kosovës dhe që të gjitha palët të bëjnë një hap prapa për t’i ulur tensionet”.
NATO i ka dënuar fuqishëm sulmet “e paprovokuara” kundër trupave të KFOR-it, duke shtuar se veprime të tilla janë “krejtësisht të papranueshme”.
“Dhuna duhet të ndalet menjëherë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog”, ka thënë NATO në një deklaratë.
Komandanti i Misionit të KFOR-it, gjenerali i divizionit Angelo Michele Ristuccia, i ka kritikuar sulmet si “të papranueshme” dhe nënvizoi se KFOR-i “do të vazhdojë ta përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme”.
Policia e Kosovës ka thënë se demonstruesit janë mbledhur në mënyrë “të organizuar” në qytetet e Kosovës veriore, rajoni i shumë serbëve etnikë të cilët kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
“Protestuesit duke përdorur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës tentuan të kalojnë kordonët e sigurisë dhe të hyjnë me forcë në objektin e komunës në Zveçan”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.
“Policia u detyrua të përdorë mjete ligjore, si sprej për të ndaluar protestuesit dhe për ta vënë situatën nën kontroll”.
Shqetësimet ndërkombëtare
Misioni paqëruajtës në Kosovë, KFOR, ka thënë se ka shtuar praninë e tij në Kosovën veriore pas zhvillimeve të fundit dhe i kërkoi Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në një dialog të udhëhequr nga BE për uljen e tensioneve.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensionet ose të shkaktojnë përshkallëzim”, tha KFOR-i në një deklaratë.
Policia veçse kishte përdorur gaz lotsjellës të premten për t’i shpërndarë serbët në veri të Kosovës të cilët protestuan kundër instalimit të kryetarëve të komunave.
Beogradi zyrtar ka reaguar duke e vendosur ushtrinë e tij në gatishmëri të lartë dhe i ka urdhëruar forcat ushtarake drejt kufirit serb me Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë një vizite në Kenia, ka deklaruar se “serbët po luftojnë për të drejtat e tyre në veri të Kosovës”.
“Një shpërthim i madh po afrohet në zemër të Evropës, ku NATO në vitin 1999 ndërmorri një agresion kundër Jugosllavisë”, ka deklaruar Lavrov, duke iu referuar ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kundër Beogradit që i dha fund luftës midis forcave serbe dhe guerrilasve etnik shqiptarë.
Ambasadori amerikan dhe i dërguari i Bashkimit Evropian i kanë ftuar kryetarët shqiptarë në një takim në Prishtinë në një përpjekje për t’i zbutur tensionet.
Dy ekipe mediatike nga Prishtina raportuan se protestuesit ua kishin dëmtuar gomat e tyre dhe kishin spërkatur me ngjyrë automjetet e tyre, ndërsa një shoqatë e gazetarëve vendas u bëri thirrje zbatuesve të ligjit që të ofrojnë një mjedis të sigurt pune për mediat.
Pas fitores së tij në raundin e parë në French Open të hënën, teniseri serb Novak Gjokoviq shkroi mesazhin “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën” në ekrainin e një kamere televizive.
“Kosova është djepi ynë, kalaja jonë, qendra e gjërave më të rëndësishme për vendin tonë”, u tha Gjokoviç gazetarëve.
“Unë jam kundër luftës, dhunës dhe konfliktit të çdo lloji dhe këtë e kam treguar gjithmonë publikisht. Sigurisht që kam simpati për të gjithë njerëzit, por ajo që po ndodh me Kosovën është precedent në të drejtën ndërkombëtare.”/France24
Përgatiti: Nuhi Shala