Franca dënon ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, kërkon që autorët të sillen para drejtësisë

Franca ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dje në Banjskë të Zveçanit, në të cilin u vra polici Afrim Bunjaku.

Në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës të hënën është bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë.

“Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një zyrtar policor dhe dy të tjerë të lënduar. Franca shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bën thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë” – thuhet në reagim.

Sipas tyre, ngjarje të tilla nënvizojnë nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi.

“Për të ulur tensionet dhe për t’u riangazhuar me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. dhe t’i lejojë ata të bëjnë përparim drejt BE-së”- thuhet tutje në reagim.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.