Fehmi Lladrovci në gjykimin e vitit 1984, Foto: Ilaz Bylykbashi

Fotografia ikonë e Fehmi Lladrovcit në gjykimin e vitit 1984, kështu e rrëfen fotoreporteri Ilaz Bylykbashi

Ilaz Bylykbashi është fotoreporter i cili ka dokumentuar përmes fotografive ngjarje të ndryshme në Kosovë që nga fundi i viteve të ’70-a.

Bylykbashi në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer histori të ndryshme përmes fotografive të tij. Ai ka rrëfyer për realizimin e fotografive të Fehmi Lladrovcit në gjykimin e vitit 1984-1985.

“As unë se kam ditë se kush është kur e kam fotografu(Fehmi Lladrovcin). Ka qenë një grup shumë i madh në rendin e parë i dishim emrat kush janë por jo në rendet e dyta e të treta. Këto gjykime kanë qenë të përgatitura për të bërë presion tek njerëzit. Ky grup ka qenë më i organizuar në rajonin e Drenicës” – rrëfen Bylykbashi.

Ai ka shtuar se e ka kuptuar kush është Lladrovci dy javë para se ai të vritej.

“Kam qenë në oborrin e tij ulë në një stam në Gllanasellë. Kemi qenë diku 50-60 metra larg edhe po më thërret Bylykbash ku je? I thashë unë s’po të njoh ty, më tha jo unë të njoh ty se në gjykim tha ti ke fotografu, atëherë i kam kqyrë filmat që i ka rujtë baba në katun, këta filma kanë qenë të sigurt, të vetmit filma që s’më kanë humbë kanë qenë këta” – tha Bylykbashi.

Për shkak të veprimtarisë politike, Fehmi Lladrovci ishte burgosur nga forcat policore serbe në fillim të shtatorit të vitit 1985 dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Fehmi Lladrovci ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ra dëshmor më 22.09.1998 gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe, dhe bashkë me të ra dëshmorë edhe bashkëshortja e tij Xhevë Krasniqi – Lladrovci.

Ndryshe, fotoreporteri Ilaz Bylykbashi kishte filluar punën si fotoreporter fillimisht në ‘Bota e Re’, e më pastaj kishte vazhduar më shumë se dy dekada në gazetën ‘Rilindja’.

Ndërsa në vitin 1996 ai kishte botuar librin ‘Kronikë’, me mbi 5 mijë fotografi që tregojnë historinë e viteve të ’80-‘90-a të Kosovës.