Foto: KALLXO.com
Forca të Njësisë Speciale Operative vendosen në Skenderaj
Forca të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës janë vendosur në orët e mbrëmjes në Skenderaj.
Pamjet që i ka publikuar KALLXO.com shfaqin pjesëtarët e NJSO-së në rrugët e Skenderajt.
Kjo vendosje e forcave speciale ndodh pas zhvillimeve të ditëve të sotme në Skenderaj, ku kryetari i degës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, kanë pretenduar se janë sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës, Sami Lushtaku dhe një grup personash rreth tij.
Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se ka intervistuar persona të dyshuar e dëshmitarë, ndërkohë që Sami Lushtaku nuk i është përgjigjur ftesës për intervistë.
Sipas Prokurorisë, dy persona janë ndaluar për 48 orë.
Ndërsa, Mehani e Zabeli kanë marrë trajtim mjekësor.
Sulmin ndaj tyre e kanë dënuar drejtues të institucioneve.