Arkiv

Fondi i Sigurisë - "barrë" për qytetarët në kohën inflacionit

Në kohën kur në Kosovë janë rritur çmimet në shumë sektor, e paga minimale vazhdon të jetë 170 euro në muaj, Qeveria e Kosovës ka themeluar “Fondin e Sigurisë” dhe po kërkon nga qytetarët që ta mbushin me mjete financiare.

Sipas vendimit qeveritarë për themelimin e këtij fondi, mjetet financiare do të përdoren për mbështetjen e prioriteteve të qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes dhe sigurisë shtetërore, infrastrukturën e sigurisë dhe menaxhimin e katastrofave natyrore.

Mirëpo situata ekonomike në vendin tonë është e rënduar. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës norma e inflacionit në raport me vitin e kaluar është rritur për 7.1%.

Inflacioni është shkalla e rritjes së çmimeve të produkteve dhe mallrave.

ASK ka përgatitur një raport të detajuar ku krahason janarin e vitit 2021 me janarin e vitit 2022 dhe vrehet rritja e çmimeve në artikujt esencial ushqimorë.

Për shkak të çmimeve të larta të produkteve, shporta e konsumatorit në Kosovë është varfëruar. Disa nga produktet, çmimi i të cilave është rritur janë: buka dhe drithërat, mishi, produktet e qumështit, vaji, perimet, sheqeri.

Buka dhe drithërat krahasuar me janarin e vitit 2021, në këtë janar kanë shënuar rritje prej 14.9%.

Mishi ka rritje prej 7.6% në krahasim me janarin e vitit të kaluar. Qumështi, djathi dhe veza ka rritje prej 9.0%, vaji dhe yndyrat ushqimore kanë rritje prej 33.7%, perimet me 11.7% rritje. Sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat kanë shënuar rritje prej 9.2% në krahasim me janarin e vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, rritje të çmimeve ka pasur edhe tek karburantet për vetura.

Krahasuar me janarin e vitit 2021, këtë janar karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal kanë shënuar rritje për 24.5%, ndërsa gazi për 19.8%.

Kosova festoi festat e fund vitit, me pak energji të cilën ia fali Shqipëria për shkak të situatës emergjente të furnizimit me energji, e cila solli edhe reduktime në sistemin 8 me energji, e 2 pa të.

Në janar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Pas këtij propozimi në Kosovë filluan protestat për të kundërshtuar këtë propozim të ZRRE-së.

Pas dorëzimit të komenteve nga institucionet, e pas shume debatesh e polemikash, ZRRE vendosi që shtrenjtimi i rrymës të bëhet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat.

Marigona Drevinja, anëtare e bordit në Institutin për Politika Sociale Musine Kokalari në një prononcim për KALLXO.com vlerëson se vendimi për krijimin e Fondit të Sigurisë, nga qeveria Kurti është vendim ad-hoc, në vend se të kemi strategji afatgjate për gjitha sferat e jetës në Kosovë.

Sipas saj ‘nëse nuk ka kërcënim real dhe informacione të besueshme se Kosova është e rrezikuar konkretisht, atëherë edhe simbolikisht një veprim i tillë mund të krijoj një gjendje paniku e frikë pa ekzistuar rrethana reale’.

Dervinja thekson nevojën që rritja e çmimeve të produkteve bazë për shkak të pandemisë dhe tani edhe për shkak të krizës në Ukrainë të trajtohet më seriozisht dhe më urgjentisht.

“Aq më tepër që tani me këtë gjendje të rënduar sociale, ju kërkohet të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë. Me politikat sociale Ad-Hoc dhe me vonesën e ndryshimeve të nevojshme, prej pagës minimale, reformës së skemës sociale e deri tek modeli i shtetit të mirëqenies, Kosova realisht më tepër rrezikohet nga varfëria dhe mungesa e produkteve bazë”, tha Dervinja për KALLXO.com.

Në arsyetimin e tij, kryeministri Kurti thotë se deri te vendimi për themelimin e “Fondit të Sigurisë” e ka shtyrë situata aktuale dhe nevojat e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në pesë vitet e fundit, qeveritë e Kosovës vazhdimisht kanë rritur buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në vitin 2017, kur Forca e Sigurisë së Kosovës ende nuk ishte bërë ushtri, buxheti i Ministrisë së FSK-së ishte 51 milionë euro. Në këtë kohë, kryeministër ishte Isa Mustafa.

Në vitin 2018, në Kosovë kishte ardhë një qeveri e re me Ramush Haradinajn që e kishte ngritur buxhetin për Ministrinë për rreth 2 milionë euro më shumë.

Buxheti për vitin 2018 për ministrinë e FSK-së kishte qenë 53,667,393 euro. Në 2019, buxheti i ministrisë ishte 58 milionë, në 2020 ishin ndarë 69 milionë euro.

Ndërsa një vit më vonë, buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës ishte zvogëluar në për rreth 2 milionë euro, duke rënë në 67 milionë euro.

Buxheti më i madh i ndarë ndonjëherë për Ministrinë e Mbrojtjes u vendosë këtë viti. Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës për Kosovën për vitin 2022 është mbi 102 milionë euro.