Flutura Kusari: Projektligji për KPM-në, vazhdimësi e qasjes armiqësore të Vetëvendosjes ndaj mediave

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias e ka quajtur këtë projektligj sulm nga qeveria kundrejt mediave.

“Çfarë kemi parë deri më tani është iniciativa e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat. Është sulmi i radhës ndaj mediave. Projektligji është vazhdimësi e qasjes armiqësore e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe tentativës së vazhdueshme për t’i disiplinuar ato”- deklaroi ajo.

Kusari tha se me këto propozime nga qeveria për ligjin e KPM-së për herë të parë në Kosovë, mediat online që publikojnë video do të rregullohen me ligj.

“Nëse shikohet se çfarë propozime ka në projektligjin për KPM-në atëherë shohim se për herë të parë në historinë e re të Kosovës ndryshon radikalisht mënyra e rregullimit të mediave online që publikojnë video, ne e dimë që të gjitha publikojnë, pra do të kaloj nga sistemi i vet rregullimit në rregullimin shtetëror duke i detyruar ato të licencohen”- tha ajo.

Kusari tha se kërkojnë nga qeveria që të tërheq projektligjin nga Kuvendi ndërsa shtoi se janë të gatshëm për bashkëpunim.

Ajo theksoi se asnjë palë e interesit nuk është konsultuar nga qeveria për hartimin e këtij projektligji.

“Kërkojmë që KPM-së në institucion historikisht i ndikuar nga politika, me disa përjashtime t’i mos i zgjerohen kompetencat”- deklaroi ajo mes të tjerave.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara i ka quajtur propozimet e qeverisë për ligjin e ri të KPM-së si përpjekje për të vënë nën kontroll mediat online.

Edhe Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha  i ka quajtur këto propozime përpjekje të qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Rexha tha se kjo është sulm ndaj lirisë së mediave.

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ky projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

Ligji i ri për KPM-në synon të vë rregull në videot e mediave online