Fjalët e Hashim Thaçit e Bujar Bukoshit për Presidentin Ibrahim Rugova

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, kanë folur sot për veprën e Ibrahim Rugovës.

Këtë e kanë bërë duke e hapur ekspozitën “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës” në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Pak para se të vija këtu e kisha kënaqësinë që ta ndaj çmimin për Presidentin Ibrahim Rugova, Çmimin për Liri dhe Pavarësi, që jepet në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës”, tha Thaçi në hapjen e ekspozitës.

Pak ditë më parë Presidenti ka paralajmëruar se do ta nderojë veprën e Presidentit të ndjerë.

Ai tha se lëvizja ushtarake dhe ajo paqësore i kanë bashkuar shqiptarët për pavarësinë e Kosovës.

“Lëvizja për pavarësinë e Kosovës si në dimensionin politik, ashtu edhe atë ushtarak bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me qëllim të vetëm të këtij populli liridashës, e i cili ka qenë dhe mbetet populli më pro-amerikan dhe më pro-perëndimor që t’i jepet e drejta për të qenë i lirë, dhe për të patur shtetin e vet”, deklaroi Thaçi.

Poashtu ai tha se e çmon kontributin e Ibrahim Rugovës në pavarësinë e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik. Duhet të jemi të vetëdijshëm të gjithë, gjeneratë pas gjenerate se kjo u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe, ku rol të pazëvendësueshëm ka Presidenti Ibrahim Rugova”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndër të tjera, ai vlerësoi se Rugova ka qenë njeri i dialogut.

“Presidenti Ibrahim Rugova ishte njeri komunikativ, njeri i dialogut, dhe i negociatave. Ishte njeri i durimit dhe pajtimeve”, tha kreu i shtetit.

Ndërsa, bashkëpunëtori i Rugovës në kohën e qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, tha se Rugova e ka përgaditur Kosovën për pavarësi.

“Kjo rezistencë paqësore, që është bërë për 10 vite, të cilën e ka udhëhequr Ibrahim Rugova, ne të tjerët kemi qenë vetëm kështu hyzmeqarë, nuk po e them me modesti të rrejshme, por, kështu qëndron, e ka përgatitur shtratin e pavarësisë së Kosovës. Nuk funksionoi puna në tërësi, por me eksponentin e rezistencës së shqiptarëve, të kryengritjeve, e drejta është që duke e pasur sponsorin e fortë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arritëm që shteti i Serbisë të përzihet nga këtu”, u shpreh Bukoshi.

Drejtori i Muzeut, Skender Boshtrakaj, tha se ekspozita e punuar nga Sadik Krasniqi, Besnik Rraci do të jetë e hapur deri në shtator.

Kjo ekspozitë përmban dokumente të presidentit të ndjerë, veshjen e presidentit, duke e përfshirë edhe shallin e tij, simbole të Lidhjes Demokratike të Kosovës, stilolapsin e tij dhe objekte të tjera të cilat ai i ka poseduar.