Fillon zbatimi i marrëveshjes për moslëshimin e dokumentit për hyrje-dalje edhe në pikën kufitare në Merdarë

Ka kaluar një orë që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për moslëshimin e dokumentit të hyrje-daljes, të cilin e kanë lëshuar autoritetet serbe për qytetarët e Kosovës.

Autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim për zbatim të reciprocitetit në këtë drejtim, por pak ditë më parë Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për moslëshimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e BE-së.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në pikën e kalimit në Merdarë ku është parë që situata është e qetë dhe marrëveshja është duke u zbatuar.

Kjo është konfirmuar edhe nga ana e shefit të PKK në Merdarë, Fehat Gashi.

“Ka filluar të zbatohet marrëveshja, pala serbe nuk është duke lëshuar dokumente”- ka thënë Gashi.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje që të njihen letërnjoftime e njëra-tjetrës dhe të mos lëshohen dokumente për hyrje-dalje më 27 gusht 2022.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte njoftuar për marrëveshjen e arritur përmes një postimi në Twitter.

Ai kishte thënë se pas dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia kishte rënë dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes-daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe se Kosova ishte pajtuar që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe.

Sot në fuqi ka hyrë edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat ilegale serbe.

Ky vendim ishte marr më 29 qershor 2022.

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’iu mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Për t’u kryer kjo punë, pronarët e këtyre veturave kanë në dispozicion dy muaj, nga nesër e deri më 31 tetor.