Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për ta vonuar Kosovën

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet identifikuese ka thënë se është koha që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njohë Republikën e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.

Sipas tij, interesi i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje.

“Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën. Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit”-ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tutje ka thënë se dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen.

“Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve”-ka thënë ai.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë për çështje të letërnjoftimeve.

“Sipas Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e letërnjoftimeve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e letërnjoftimeve serbe”- ka shkruar Borrell në Twitter.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Borrell ka thënë se serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.