Xhelal Sveçla: Serbia po e zbaton marrëveshjen për moslëshimin e dokumentit për hyrje-dalje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një deklarim për media nga pika kufitare në Bërnjak ka thënë se është ndërprerë lëshimi i fletave të hyrje-daljeve nga autoritetet serbe për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se sapo kaloi një makinë me gazetarë dhe nuk iu nënshtruan atij procesi.

“Tash mund të konfirmoj se këtu në Bërnjak kishim një veturë me gazetarë që kaloi pa probleme, është ndërprerë lëshimi i fletë hyrjeve-daljeve nga ana e Serbisë.  E njëjta ka ndodhur edhe në Merdarë, Dheu i Bardhë dhe në Muçibabë” – ka thënë Sveçla.

Kurse, për pikën në Jarinjë, Sveçla tha se ende nuk ka kaluar ndonjë makinë.

“Për Jarinjë nuk kemi ende ndonjë veturë që ka kalu. Mund të konkludojmë që autoritet e Serbisë kanë ndërprerë fletë leshimet për hyrje dalje. Kjo është një lehtësim i madh për qytetaret tanë që udhëtojnë andej”- shtoi më tej ministri Sveçla.

Xhelal Sveçla tutje theksoi se shpreson që me këtë dinamikë do kalojë edhe çështja e targave ilegale të automjeteve.

“Them se me këtë dinamikë do vazhdojmë edhe në iniciativa tjera dhe shpresoj se do kalojë pa probleme edhe çështja e targave ilegale, apo kalimi i tyre në zyrtare të Kosovës” – shtoi ai.

Sipas Sveçlës. Qeveria ka një vendim për kalim të targave nga ilegale në legale, ku janë ofruar edhe lehtësime për qytetarët serbë të Kosovës.

“Në kemi një vendim të qeverisë së Kosovës për kalim të këtyre targave në ilegale në legale, kemi ofruar lehtësime për shtetasit tanë për kalim të tabelave ne legale. Edhe ata përfitojnë drejtpërdrejte, nuk do ketë nevojë për marrëveshje pasi është çështje e rregulluar me ligj dhe duhet të zbatohet”- tha Sveçla.

Ministri më tej potencoi se nuk beson që do ketë tensione.

Kanë nisur të zbatohen dy vendimet e Qeverisë së Kosovës – ai për reciprocitetin me Serbinë sa i përket dokumenteve të identifikimit të qytetarëve të dy vendeve kur ata hyjnë në njërin dhe vendin tjetër, dhe tjetri për targat serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Kosova nis zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftimet dhe të vendimit për targat serbe ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’…