Sveçla viziton edhe pikën e Policisë Kufitare të vendosur muaj më parë në Bërnjak

Përveç vizitës në pikën kufitare në Bërnjak, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar për pak minuta edhe pikën e Policisë Kufitare e cila është vendosur para disa muajsh në Bërnjak.

Ministri Sveçla ka ndaluar në hyrje të kësaj pike vetëm për t’u përshëndetur me policët që kanë qenë në ndërrim aty.

Pasi u ka dhënë dorën policëve, ministri Sveçla i shoqëruar edhe nga dy vetura të njësisë speciale të Kosovës është nisur në drejtim të Prishtinës.

Sot kanë nisur të zbatohen dy vendimet e Qeverisë së Kosovës – ai për reciprocitetin me Serbinë sa i përket dokumenteve të identifikimit të qytetarëve të dy vendeve kur ata hyjnë në njërin dhe vendin tjetër, dhe tjetri për targat serbe të automjeteve me akronimet e qyteteve të Kosovës.

Ekipet e KALLXO.com gjenden në pikat kufitare me Serbinë për të parë nëse po zbatohet marrëveshja dhe nëse gjendja është e qetë.

Pronarëve të automjeteve me targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, që janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi i automjeteve me targat RKS.

Për t’u kryer kjo punë, pronarët e këtyre veturave kanë në dispozicion dy muaj, nga tani e deri më 31 tetor.

Ky vendim ishte marrë në mbledhjen e 29 qershorit të këtij viti dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës vendimi i shty për një muaj.

Xhelal Sveçla: Serbia po e zbaton marrëveshjen për moslëshimin e dokumentit për hyrje-dalje