Fillon takimi mes Vjosa Osmanit dhe Gabriel Escobar

Ka filluar takimi mes presidentes Vjosa Osmani me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje para takimit.

Presidentja Vjosa Osmani dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar Foto: KALLXO.com 12.12.2022

Për sot ishte paralajmëruar që të vizitojë Kosovën edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Por siç mëson KALLXO.com i njëjti nuk do të vizitojë Kosovën ‘për arsye personale’.

I vetëm takimet do t’i zhvillojë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit me Vjosa Osmanin, Escobar do të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 16:30.

Vizita e tij vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Përfaqësuesit serbë, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, i kundërshtuan edhe zgjedhjet, që fillimisht u planifikuan për datën 18 dhjetor.

Për shkak të situatës së tensionuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shtyu ato për në prill të vitit të ardhshëm.

Autoritetet e Kosovës akuzuan “bandat kriminale serbe, të udhëhequra nga Beogradi”, për disa incidente me armë zjarri dhe shok-bomba që ndodhën ditëve të fundit në veri. Zyrtarët serbë thanë se udhëheqësit e Kosovës po përpiqen “t’i dëbojnë” serbët nga veriu.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të sigurojë vendosjen e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.