Filloi seanca për zgjedhjen e Talat Xhaferit kryeministër

Me një orë e 15 minuta vonesë filloi seanca për zgjedhjen e Qeverisë teknike, në të cilën pritet që Talat Xhaferi të zgjidhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Në seancën e sotme nuk do të merr pjesë opozita shqiptare nën arsyetimin se nuk i lejohet ta ketë një anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), derisa opozita maqedonase ndonëse do të jetë prezentë në Kuvend, nuk do të votoj për Qeverinë e re.

Menjëherë pas miratimit të rendit të ditës me të vetmen pikë: “Propozim për përbërje të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, pritet që mandatari të prezantoj programin e qeverisë së re.

108 deputetë prezencë në sallë, 66 votuan për rendin e ditës.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi.

Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim/Alsat.mk/