Ilustrim

FIFA dhe UEFA pezullojnë kombëtaret dhe klubet ruse nga të gjitha garat

FIFA dhe UEFA kanë marrë vendim që të pezullohet pjesëmarrja në lojëra për të gjitha ekipet ruse të futbollit.

“Pas vendimeve fillestare të miratuara nga Këshilli i FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, të cilat parashikonin miratimin e masave shtesë, FIFA dhe UEFA kanë vendosur sot së bashku që të gjitha ekipet ruse, qofshin ato kombëtare apo klubet, do të pezullohen nga pjesëmarrja në garat që organizohen nga dy organizatat”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, këto vendime janë miratuar sot nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, përkatësisht organet më të larta vendimmarrëse të të dy institucioneve për çështje të tilla urgjente.

“Futbolli është plotësisht i bashkuar këtu dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë. Të dy presidentët shpresojnë se situata në Ukrainë do të përmirësohet ndjeshëm dhe me shpejtësi, në mënyrë që futbolli të jetë sërish një vektor për unitetin dhe paqen mes njerëzve”, thuhet tutje aty.

Vendimi për pezullim do të jetë aktiv deri në një njoftim tjetër të UEFA-s dhe FIFA-s.