‘Toka’, i akuzuari Novakoviq: Në Serbi jam shpallur si armik - që jam pjesëtar i UÇK-së

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur gjykimi në rastin ku të akuzuar janë Azem Syla dhe 21 persona të tjerë për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.

Në këtë seancë Vidosav Novakoviq, para trupit gjykues duke u deklaruar në propozimin e mbrojtësit të tij për heqjen e masës së paraburgimit, i njëjti tha që nuk ka ku të shkoj pasi që në Serbi ishte shpallur si armik që ishte pjesë e UÇK-së dhe Shërbimit Informativ të Kosovës.

“I nderuari gjyqtar, qëllimi im është që të kryhet ky hetim, nuk kam ku të shkoj sepse në Serbi jam shpallur si armik që jam pjesëtar i UÇK dhe SHIK-ut… Unë nuk jam kurrfarë krimineli s`kam qenë kurrë dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj dhe të kryhet njëherë e përgjithmonë që të vije deri te e vërteta”- tha i akuzuari Novakoviq.

Novakoviq u deklarua kështu pas propozimit të mbajtësit të tij, Fitim Malokaj që të mbrojturit të tij t`i hiqet masa e paraburgimit me arsyen që kanë pushur të gjitha kushtet për të cilat është caktuar masa.

“Meqenëse i mbrojturi im gjendet në masën e paraburgimit tash e 21 muaj, tashmë kanë pushur të gjitha kushtet mbi të cilat është caktuar dhe është vazhduar masa e paraburgimit. Gjykatës dhe me herët i kemi ofruar dëshmi rreth qëndrimit të tij nw republikën e Kosovës i kemi ofruar dokumente valide tw Republikës së Kosovës”- ishte propozimi i Malokajt.

Pas kundërshtimit nga ana e Prokurorisë  Speciale për masën e paraburgimit, Gjykata e refuzoi një propozim të tillë të mbrojtësit Malokaj.

Në këtë seancë Malokaj kërkoi që të dëgjohen drejtpërdrejtë në cilësinë e dëshmitarëve Nazim Bllaca dhe Fitim Prapashtica (dëshmitarë këta të propozuar nga prokuroria).

Kundërshtime kishte nga ana e mbrojtësve të tjerë lidhur me këtë kërkesë, e për të cilën gjykata tha që do të vendos në fazat e më vonshme.

Gjithashtu në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Ilaz Syla, Haxhi Millaku kërkoi që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Shkëlqim Latifi.

Kurse dëshmitarët të cilët ishin paraparë që sot të dëgjohen, e të cilët munguan, deklaratat e tyre u konsideruan të lexuara me pajtimin e palëve në procedurë.

Për shkak të mungesës së dëshmitarëve seanca e sotme u ndërpre për të vazhduar me 11 dhe 23 maj të këtij viti.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK