
Rasti Toka - Azem Syla i akuzuar - 11.05.2023
Rasti 'Toka' - Gjykata merr vendim për deklaratat e Nazim Bllacës, Azem Sylës i refuzohet një kërkesë
Ish-deputeti i PDK-së Azem Syla së bashku me 17 të bashkakuzuar u paraqitën edhe sot në gjykatoren e Prishtinës, për t`u përballur me akuzat që prokuroria i’u vë në barrë.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, në afërsi të Prishtinës.
Me të filluar seanca gjyqësore, trupi gjykues në përbërje nga Arben Hoti – kryetar, Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala – anëtarë, njoftuan palët se kanë aprovuar propozimin e prokurorisë që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve bashkëpunues.
Deklarata të cilat ishin dhënë në mundësinë hetuese të veçantë nga ana e Nazim Bllacës dhe Fatmir Prapashticës në cilësinë e dëshmitarëve bashkëpunues.
Në seancën e sotme në cilësi të dëshmitarëve ishte paraparë që të dëgjoheshin Eduard Gashi, Idriz Kadriu, Shkëlqim Latifaj, por të njëjtit munguan.
Latifaj, të cilit ftesa i ishte dorëzuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kishte arsyetuar, me pajtimin e palëve u konsideruan si të lexuara deklarata e tij të dhëna më herët.
Për dëshmitarin Kadriu, prokuroria hoqi dorë që i njëjti të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit pasi që sipas organit të akuzës ishin bërë përpjekjet e pamundura që të kontaktohej ky dëshmitar.
Ndërsa për Eduard Gashin gjykata tha se do të bëhet edhe një përpjekje tjetër që i njëjti të dëgjohet në këtë çështje.
Tutje gjykata aprovoi propozimin e prokurorisë që të konsiderohen si të lexuara deklaratat e disa dëshmitarëve të cilat ishin dhënë përmes bashkëpunimit juridiko ndërkombëtar, me video-link nga shteti i Serbisë.
Në prag të përfundimit të seancës gjyqësore, mbrojtësi i Azem Sylës, Besnik Berisha njoftoi trupin gjykues së në datën të cilën është paraparë të mbahet seanca e radhës, Syla nuk mund të jetë prezent. Për këtë i njëjti kërkoi që të vazhdohet me gjykim në mungesë.
Arsyet e Berishës, për këtë propozim ishin gjendja shëndetësore e Sylës, e asnjëherë nuk ka të bëjë më mospërfillje të gjykatës apo mos seriozitet nga i mbrojturi i tij për këtë çështje.
Kështu që pas këshillimit trupi gjykues mori vendim për ta refuzuar një kërkesë të tillë.
“Refuzohet propozimi i mbrojtësit që seanca të vazhdoj në mungesë të të pandehurit pasi që trupi gjykues konsideron se nuk janë përmbushur kriteret…”- tha Arben Hoti, kryetar i trupit gjykues.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më datë 22 maj të këtij viti.
Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Syla dhe Vidosav Novakoviq, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit tjerë meqë është i njëjti rast.
Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK