Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Ferizaj, paraburgim për dajë e nip që u përleshën për shkak të një borxhi

Gjykata e Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.Z., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale –  lëndim  i rëndë trupor dhe – armëmbajtje pa leje, si dhe ndaj të pandehurit M.S., i dyshuar për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e  procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Kadrije Goga – Lubishtani, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri B.Z. më 06.03.2021 fshatin Doganaj të Kaçanikut, me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të pandehurit S.S., pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari fillimisht përleshet me të pandehurit S.M. dhe R.S., më pas nxjerr revolen dhe në përleshje e sipër shtien me armë në drejtim të tokës, me ç’rast e godet të dëmtuarin nën gjurin e këmbës së majtë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ndërsa i pandehuri M.S. dyshohet se në kohë dhe vend të njëjtë me dashje dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër, e sulmon fizikisht të pandehuri B.Z., në atë mënyrë që si pasojë e një mosmarrëveshjeje të përshkruar si më lart, me shufër metalike përderisa i njëjti ishte i rrëzuar për tokë, i pandehuri e godet të njëjtin disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e këtyre goditjeve i njëjti pëson lëndime trupore.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi po të gjenden në liri të njëjtit mund të ndikojnë tek bashkëpjesëmarrësit si dhe te dëshmitarët, të cilët nuk janë dëgjuar nga ana e Prokurorisë.

Po ashtu duke marrë parasysh peshën e veprave penale, dhe rrethana në të cilat është kryer vepra penale, për faktin se vepra penale është kryer me përdorimin e armës dhe përdorimin e shufrës metalike, se të pandehurit janë në marrëdhënie familjare në mes vete, nip e dajë dhe se e tërë ngjarja e ditës kritike ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi të mëparshëm, andaj ekziston rreziku serioz se po që se të njëjtit do të lihen në liri mund të përsërisin vepra penale me pasoja edhe më të rënda.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.