Substanca narkotike (Heroinë); Fotografi: Kosovo Police

Ferizaj, arrestohen dy persona me mbi 5 kilogramë heroinë

Policia e Kosovës sot ka arrestuar dy persona të dyshuar për blerje, shitje dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike psikotrope ose analoge.

S.A dhe A.E janë arrestuar gjatë kontrollit në një lokacion të dyshuar në Ferizaj ku është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit “Heroinë” me peshë prej 5kg e 529gr.

Sipas Policisë S. A. dyshohet se e ka pasur nën posedim substancën e dyshuar narkotike.

“Të gjitha dëshmitë janë fotografuar dhe janë tërhequr nga vendi i ngjarjes nga njësiti i Krim-Teknikës së Regjionit të Ferizajit” njofton Policia.

Në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin është bërë identifikimi dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar A. E. shtetas i Maqedonisë së Veriut, ku dhe janë konfiskuar :  një veturë, katër telefona celularë, 560 franga dhe 120 euro.

Sipas Policisë ky kontroll është bërë  pas një pune operative dhe hetimore mbi sigurimin e informatave dhe me urdhër verbal të prokurorit kompetent, është bërë kontrollimi i një shtëpie dhe objekteve të tjera përcjellëse.

Me vendim të prokurorit kujdestar të dyshuarit dërgohen në qendër të ndalimit për 48 orë.

Substanca narkotike (Heroinë); Fotografi: Kosovo Police