Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fatmir Gashi: Kosova i taton më së paku investitorët e huaj

Kandidati i AAK-së për deputet, Fatmir Gashi, tha në “Kallxo Pernime” se në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova ka politikat më të mira për investitorët e huaj, për shkak të tatimeve të ulëta.

“Kosova është i vetmi shtet në rajon që dividendën nuk e tatimon. Dividenda për investitorët e huaj nuk tatohet, krejt shtetet në rajon e tatimojnë. Prej TVSH, prej tatimit në fitim, prej tatimit në paga , na jemi më të ulët në rajon, në daç merre Shqipërinë, Maqedoninë apo Serbinë, na jemi më të ulëtit”, tha Gashi në “Kallxo Pernime”.

Në anën tjetër, kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Ilir Kapiti tha se Kosova në letra është një parajsë për investitorë, por nuk vijnë për shkak të korrupsionit.

“Ky është argumenti më i fortë, qëndron ajo që z.Gashi po e thotë. Na i kemi shumë politikat e mira fiskale e zhvillimore për investitorët. Kur shihen në letra, janë të mira e të përpikta, mmendon njeriu që është parajsë me investu, por pse s’po vijnë investitorët?! Sepse ka korrupsion”, tha Kapiti në “Kallxo Pernime”.