Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com

Familja e Oliver Ivanoviqit kërkon hetimin e pretendimeve të reja për vrasjen

Familja e politikanit të vrarë Oliver Ivanoviq u bëri thirrje prokurorëve që të hetojnë akuzat e reja se dy biznesmenë serbë, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, urdhëruan dhe organizuan vrasjen e tij në Kosovë.

Autor: Milica Stojanovic, BIRN

Të afërmit e liderit të partisë politike serbe të Kosovës të vrarë, Oliver Ivanoviq, i kërkuan Prokurorisë Serbe për Krimin e Organizuar të mërkurën që të hetojë akuzat e reja për personat që dyshohet se urdhëruan, organizuan dhe kryen atentatin në vitin 2018.

Faqja investigative KRIK publikoi të martën një intervistë me biznesmenin kontrovers Boban Bogdanoviç, i cili pretendoi se shoku i tij tashmë i ndjerë Aleksandar Gligorijeviç i kishte thënë atij se kush ishte përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit.

“Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviç… njeriu që organizoi udhëtimin e tij në Kosovë, i cili përgatiti logjistikën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, është Milan Radoiçiq, dhe njeriu që urdhëroi vrasjen e Oliverit është Zvonko Veselinoviq”, tha Bogdanoviç për KRIK.

Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq janë biznesmenë të fuqishëm serbë të Kosovës, të cilët janë akuzuar vazhdimisht për përfshirje në vrasje. Radoiçiq e ka mohuar këtë.

Gligorijeviç ishte një bashkëpunëtor i kreut të bandës kriminale serbe Veljko Belivuk dhe dyshohet se u vra nga anëtarët e tjerë të bandës në vitin 2020.

E veja e Ivanoviqit, Milena Popoviç i bëri thirrje prokurorisë serbe të mërkurën në mbrëmje që të mos “mbyllte sytë” ndaj akuzave të Bogdanoviçit.

“Edhe pse emri i vrasësit të supozuar më befasoi dhe e pranoj se nuk kam dëgjuar kurrë për të, duhet të them se një emër përkon me historinë e Bogdanoviçit dhe atë që dija nga Oliveri dhe çfarë mësova pas vrasjes së tij. Ai emër është Milan Radoiçiq”, tha Popoviç, raportoi agjencia e lajmeve Beta.

“Emri i Milan Radoiçiqit përmendej gjithmonë me vështirësi në shtëpinë tonë, sidomos kur Oliver filloi të merrte kërcënime gjithnjë e më serioze para vdekjes së tij”, shtoi ajo.

Popoviç është aktualisht deputete e Partisë Progresive Serbe në pushtet. Para vdekjes së tij, Ivanoviqi ishte bërë gjithnjë e më kritik ndaj qeverisë serbe. Radoiçiqi është nënkryetari i partisë kryesore të mbështetur nga Beogradi në Kosovë, Lista Serbe.

Vëllai i Ivanoviqit, Miroslav Ivanoviq, i përshkroi komentet e Bogdanoviçit si tronditëse, por tha se arsyet e dhëna për vrasjen e vëllait të tij – probleme të supozuara biznesi – nuk ishin “bindëse”.

“Oliveri dhe Zvonko Veselinoviq nuk kishin asnjë plan biznesi së bashku”, tha Ivanoviq për faqen e lajmeve KosSev. Ai këmbënguli se motivi i vrasjes ishte politik.

Ivanoviqi, lideri i partisë politike Liri, Demokraci, Drejtësi, u vra para zyrës së tij në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Kosovës të Mitrovicës në janar 2018.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktualisht është duke u zhvilluar gjykimi për këtë rast. Gjashtë persona janë duke u gjykuar, katër për nxitje të vrasjes dhe dy për manipulim provash.

Aktakuza nuk përmend emrin e autorit të supozuar apo personit që urdhëroi vrasjen, por pretendon se biznesmenët serbë Radoiçiq dhe Veselinoviq drejtuan një grup të organizuar kriminal që ishte përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit.

Në një intervistë me BIRN jo shumë kohë para vdekjes së tij, Ivanoviqi e përshkroi Radoiçiqin si mbajtësin e vërtetë të pushtetit në veriun e Kosovës me shumicë serbe.

Në dhjetor 2021, Departamenti Amerikan i Thesaeit vendosi sanksione ndaj Veselinoviqit si “një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës”. Sanksione u vendosën edhe ndaj Radoiçiqit.

Veselinoviqi dhe Radoiçiqi nuk i kanë komentuar pretendimet e Bogdanoviçit. Sipas mediave serbe, Lainoviçi ka jetuar në Spanjë.

Ministria e Brendshme e Serbisë tha të mërkurën se Bogdanoviç “nuk na dha asnjë fakt të vetëm përveç bisedave të tij të pakonfirmuara me të ndjerin dhe për të ndjerin, asnjë provë të vetme”./BalkanInsight