Foto: Thomas Waitz/ twitter

Eurodeputeti Waitz: Sot ditë gëzimi për Kosovën, Parlamenti Evropian do të miratojë liberalizimin e vizave

Deputeti në Parlamentin Evropian nga partia e të Gjelbërve, Thomas Waitz ka deklaruar se sot është ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi sipas tij Parlamenti Evropian sot do të miratojë liberalizimin e vizave.

Waitz thekson se ky hap në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është i vonuar teksa shton se partia e tij ka vite që e mbështetë këtë rrugëtim.

“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas vitesh bllokadë në Këshill, Parlamenti Evropian më në fund do të miratojë liberalizimin e vizave për më të rinjtë e Evropës. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është shumë i vonuar. Të Gjelbërit kanë vite që e mbrojnë atë dhe do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së”- thotë eurodeputeti.

Vendimi përfundimtar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të merret sot rreth orës 12:00 në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Ndërsa, të mekurën pasdite është paraparë të mbahet ceremonia e nënshkrimit.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo.

“Miratimi përfundimtar i Kuvendit do të shpallet nesër, e martë 18.04, në seancën plenare (duke filluar rreth orës 12:00). Votimi nuk është i nevojshëm në këtë fazë dhe ceremonia e nënshkrimit do të vijojë të mërkurën pasdite në orën 14:45”- ka thënë Ojamo për KALLXO.com.

Ky vendim do të shënoj njëherit edhe hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Pas nënshkrimit, vendimi hyn në fuqi në ditën e njëzetë pas publikimit në Gazetë Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Miratimi përfundimtar, Parlamenti Evropian nesër vendos për heqjen e vizave për Kosovën