EULEX i shqetësuar me incidentet në veri, thotë se po monitorojnë situatën

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, është shprehur i shqetësuar me incidentet që kanë ndodhur dje në veri të vendit, ku u dëmtuan zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriu.

Wigemark ka thënë se EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

“Të shqetësuar për incidentet e djeshme në veri të Kosovës. Çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur. EULEX do të vazhdojë të monitorojë situatën në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe NATO-KFOR-in” – ka shkruar Wiemark.

Policia e Kosovës dje ka njoftuar se dje pasdite, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.

Për disa ditë me radhë, gjatë kohës kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë për të zëvendësuar të dorëhequrit, KQZ ka kërkuar mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Siç ka mësuar KALLXO.com, në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Dje pasdite janë dëgjuar disa shpërthime në veri.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në veri do të ketë ndjekje të kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka thënë se situata në veri të Kosovës eskalon për shkak të bandave kriminale që përkrahen politikisht e financiarisht nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.