PSD me parullën ‘UÇK nuk mund të gjykohet’ kundërshton vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale

Partia Socialdemokrate (PSD), me parullën ‘UÇK nuk mund të gjykohet’ ka kundërshtuar vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në Kosovë.

Vizita e saj është paralajmëruar për të mërkurën me 29 nëntor.

Aktivistët e kësaj partie sot para rrethojave të objektit të EULEX në Prishtinë, kanë shkruar parullën ‘UÇK nuk mund të gjykohet’, duke aluduar në Gjykatën Speciale.

Nol Nushi, sekretar i PSD-së, para gazetarëve tha se EULEX është dorë e zgjatur e Gjykatës Speciale në Kosovë, ndërsa tha se në këtë objekt janë mbajtur shumica e marrjes në pyetje të dëshmitarëve dhe të akuzuarve që ndodhen në Hagë.

“Atje po zhvillohet një proces i padrejtë. Nuk guxojmë të lejojmë që ky proces i padrejtë të fillojë të normalizohet dhe të duket që është njëfarë procesi që e kemi hak dhe rrjedhimisht UÇK-ja është një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Kjo është në kuadër të kundërshtimeve tona ndaj kësaj Gjykate por specifikisht të kundërshtimeve tona ndaj vizitës së zonjës Trendafilova e cila pasnesër, të mërkurën në ora 14:00 vjen në hotel Sirius në emër të transparencës” – tha Nushi.

Ai tha se në Gjykatën Speciale nuk ka transparencë, pasi sipas tij, rreth 75% e seancave janë të mbyllura për publikun e pothuajse të gjitha tekstet janë të redaktuara.

“Nëse nuk e keni ditur, Gjykata Speciale deri sot i ka shpenzuar hiq më pak se 350 milionë euro. Me këtë ritëm të gjykimit i cili nuk përfundon as minimialisht 5 vjet, gjykata ka me i shpenzu mbi 1 miliard euro. Gjitha nivelet e asaj gjykate, prokuroria, gjykata e apelit, kushtetuesja brenda saj, të gjithë janë miq në mes vete” – tha Nushi.

Përveç këtij aksioni, Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar edhe protestë si kundërshtim ndaj vizitës së Trendafilovës në Kosovë. Protesta, sipas Nol Nushit, do të mbahet me 29 nëntor para hotelit ‘Sirius’ në Prishtinë, aty ku do të qëndrojë për vizitë Trendafilova.