Escobar për planin franko-gjerman: Pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në intervistë për RTK-në, deklaroi se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

“Shpresojmë që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, me mbështetjen e Emisarit Special të BE-së. Ne vazhdojmë t’i mbështesim në mënyrë aktive këto përpjekje” – tha Escobar.

Për mospërfshirjen e Listes Serbe në zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat në veri të vendit, ai tha se zgjedhjet duhet të mbahen në frymë demokratike, pa kanosje politike.

Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës si edhe  zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime. Ne jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e komunitetit se mund të mos ekzistojnë kushtet për zgjedhje të suksesshme. Por, është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të jetë e përgjegjshme ndaj këtyre shqetësimeve. Zgjedhjet duhet të mbahen në frymë demokratike, pa kanosje politike” – deklaroi Escobar.

Ai thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian, se “zhvillimet e fundit janë shqetësuese dhe vënë në rrezik” progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë për  dhunë, vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare që janë në terren” – tha Escobar në intervistën për televizionin publik kosovar.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të demonstrojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për të qetësuar situatën. Pastaj palët duhet të dyfishojnë angazhimet e tyre në dialog, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë i kanë nënshkruar, që nënkupton edhe fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” – shtoi ai.

Escobar është pyetur edhe për planin franko-gjerman. Ai deklaroi se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut.

“Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe për stabilitetin evropian, në një kohë kur po përballemi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe me krizat e goditjeve që pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit ka shkaktuar në të gjithë Evropën. Detajet e propozimit po diskutohen në kuadër të dialogut të drejtuar nga BE-ja. Ne e mbështesim fuqishëm: Mendoj se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut” – u shpreh ai.

“Unë kam një partneritet të plotë me homologët e mi të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes vendeve të Quint-it. Për shkak se integrimi evropian është aspirata e të dyja vendeve (Kosovë e Serbi), ky proces natyrisht duhet të drejtohet nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ngushtë me BE-në, me të dyja palët dhe partnerët evropianë, në mbështetje të plotë të këtij procesi. Ky angazhim është politikisht, financiarisht, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe çdo mekanizmi tjetër që kemi për të siguruar rezultatin përfundimtar, që krijon stabilitet afatgjatë për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në mënyrë aktive në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së për të menaxhuar situatën aktuale” – tha tutje Escobar.