Erdogan: Pranojeni Turqinë në BE, nëse dëshironi që Suedia të anëtarësohet në NATO

Rruga e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian duhet të qartësohet përpara anëtarësimit të Suedisë në NATO, sipas presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, shkruan sot CNN.

“Së pari, le t’i hapim rrugën Turqisë në Bashkimin Evropian, pastaj t’i hapim rrugën Suedisë, ashtu siç hapëm rrugën për Finlandën,” deklaroi Erdogan gjatë një konference për media të hënën përpara Samitit të NATO-s në Lituani.

“Turqia ka më shumë se 50 vjet që pret në portën e Bashkimit Evropian”, tha Erdogan. Pothuajse të gjitha vendet anëtare të NATO-s janë vende anëtare evropiane.

 Suedia dhe Finlanda kërkuan zyrtarisht anëtarësimin në NATO menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë që Finlandës iu aprovua anëtarësimi në prill 2023, Turqia vazhdon ta vërë veton ndaj ofertës së Suedisë, duke e akuzuar këtë vend për strehimin e “organizatave terroriste” kurde.

Erdogan deklaroi se Turqia nuk do ta miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO nëse ky vend nuk i ekstradon “terroristët” sipas kërkesës së bërë nga ana e qeverisë turke.

Suedia e ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë dhe për momentin, procesi ka ngecur./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala