Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hasani komenton vendimet e PZAP-së për votat e komuniteteve

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar vendimet e sotme të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për anulimin e disa votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit për disa parti të komuniteteve në Kosovë.

Sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që t’i anulojë 4 mijë e 205 vota të iniciativës së Adrijana Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë. Përveç votave të Hoxhiqit, janë anuluar edhe votat për koalicionin VAKAT, SDU e Nasha Iniciativa.

Hasani në emisionin “Kallxo Pernime” tha se është vendim i drejtë dhe ka bazë ligjore.

‘Unë mendoj se vendimi është i drejtë profesionalisht dhe mendoj që duhet të vërtetohet sepse vendim në rendin e parë është i bazuar në Kushtetutë, në mbrojtjen e garancioneve kushtetuese të komuniteteve shumicë sepse bazohet edhe në Ligj”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nëse këto vota nuk do të anuloheshin do të kishte implikacione në zgjedhjet e ardhshme.

“Sikurse të tolerohej ajo logjikë besoj që do të kishte implikacione në rendin kushtetues të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme dhe kishte ndikuar në homogjenizimin nacional, në të cilat munden me prodhu pasoja të padëshirueshme për të gjitha komunitetet dhe mbi të gjitha për rendin dhe stabilitetin në Kosovë”, tha Hasani më tej.

Profesori universitar shtoi se nëse kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak, Adrijana Hoxhiq, parashtron ankesë në Gjykatën Supreme, nuk ka argumente të mjaftueshme.

“Ata që janë pala e pakënaqur nuk kanë asnjë argument përveç kësaj që thonë që vota është e lirë, por vota e garantume është e komandume sepse është votë e përgjithshme, por nëse duan ashtu prishe atë të garantume dhe janë argumente fiktive”, tha Hasani më tej.