Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çfarë thotë Enver Hasani, i lejohet apo jo Sami Lushtakut gara për të parin e Skënderajt?

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, ka folur lidhur me mundësinë që Sami Lushtakut të mos i lejohet kandidimi për kryetar të Skënderajt për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku në vitin 2020 u gjet fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës. Ai sipas prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”.

Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë prej 12 mijë eurove. Ndonëse për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim deri në 3 vite, dhe dënimi me gjobë nuk parashihet si dënim alternativ.

Si shkak i këtij vendimi, gjatë ditës së sotme u përfol se Lushtaku nuk do mund të garojë në zgjedhjet lokale.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, kush është i dënuar në tre vitet e fundit me vendim të formës së prerë, nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve ka pengesë juridike për të kandiduar qoftë në nivel qendror apo lokal.

Lidhur me këtë, Enver Hasani për KALLXO.com, ka thënë se këtu janë dy probleme: Njëri ka të bëjë me aspektin juridik dhe tjetri me atë politik.

Sa i përket aspektit juridik, Hasani ka thënë se me vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk i ndalohet vetëm hyrja në garë, por në çdo post tjetër publik që i nënshtrohet zgjedhjes së atyre që kanë vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit.

“Në aspektin juridik është shumë e saktë që më aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli jokushtetues zgjedhjen e Qeverisë Hoti, t’i ndalohet hyrja jo vetëm në garë zgjedhore, por në çdo post tjetër publik që i nënshtrohet zgjedhjes të gjithë atyre që kanë vendim të formës së prerë në tri vitet e fundit”, ka thënë Hasani.

Kurse në aspektin politik, sipas Hasanit ka raste në Kosovë që janë zgjedhur në poste publike të larta përkundër një ndalese të tillë.

Hasani madje theksoi se nëse për këta persona nuk ka vlejtur një vendim i tillë, pse duhet të vlejë për Lushtakun.

“Ekzistojnë raste që janë zgjedhur në poste publike të larta në Kosovë, përkundër ndalesës në fjalë nga aktgjykimi i Kushtetuesës, kështu që nëse zbatohet standardi i njëjtë për të gjithë ata që hyjnë në jetën publike në Kosovë, e njëjta duhet të vlejë edhe për zotin Lushtaku. Pse duhet ndaj tij të vlejë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe jo ndaj tjerëve që sot ushtrojnë poste të larta në shtetin e Kosovës”, shtoi tutje Hasani.

Dega e Partisë Demokratike në Skenderaj dje ka konfirmuar kandidaturën e Sami Lushtakut për kryetar të kësaj komune, për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sami Lushtaku dënohet me 12 mijë euro gjobë  për arratisjen nga Dubrava