Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kush sipas Enver Hasanit duhet të zgjidhet president?

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani në emisionin “Kallxo Pernime” ka thënë që së pari duhet të konstituohet Kuvendi pastaj të votohet presidenti i ri.

“Renditja e organeve kushtetuese në demokraci parlamentare çfarë është Kosova vetë për vete flet për rëndësinë e tyre. Zgjedhja e Kuvendit pasohet nga presidenti, qeveria dhe organe të tjera që derivohen. Kjo është kështu pa përjashtim më demokracitë kushtetuese parlamentare”, tha ai

Sipas Hasanit, zgjedhja e kryeparlamentarit të ri nënkupton që ai kryeparlamentar bëhet ushtrues detyre i presidentit të vendit.

“Me automatizëm, ai e merr pjesën e mbetur të mandatit, asnjëherë nuk nis prej zeros. Une mendoj që është jocivilizuese me pengu atë grupacion politik që ka fituar aq shumë vota me pengu në  formimin e organeve, nuk ka rëndësi cilave – qeverisë dhe presidentit”, tha ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha që deputetët e kanë obligim të rrinë në seancën në të cilën pritet të votohet presidenti i ri i vendit.

“Deputetët duhet me ndejtë në sallë, dhe me votu, po, jo, abstenim. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin VLAN në mënyrë të pastër thotë që duhet me ndejtë. Me lejen e kryetarit të Kuvendit mund të mungohet dhe të shkruhen saktë kur mundet me mungu”, tha ai.

Sipas Hasanit deputetët kanë për detyrë të formojnë organet kushtetuese.

“Është detyrë e deputetëve me i formu organet kushtetuese, ata nuk e kanë mandatin me u rrehë, me gjuajt gaz e me i blloku institucionet, nuk është opozitarizëm ajo, ajo është me shkatërru shtetin”, tha ai.

Ndërsa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të marrë më 30 mars të vitit 2011, paragrafët numër 80, 83, 124 dhe 128 e tregojnë këtë çështje.

“Duke marrë votën e qytetarëve, deputetët kanë obligime ndaj atyre, inter alia, siç; përcaktohet në nenin 40 [Obligimet] të Ligjit për deputetë, duke qenë të obliguar të marrin pjesë në seancat plenare ose në takimet e organeve ndihmëse të Kuvendit, në të cilat, ata janë anëtare. Nëse deputeti nuk mundet të marre pjesë në seancat e Kuvendit ose në takimet e organeve ndihmëse të Kuvendit, atëherë, ai/ajo duhet të informojë Kryetarin e Kuvendit, respektivisht, Kryetarin ose Zëvendëskryetarin e atij organi, duke paraqitur arsyet për mungesën e tij/saj, siç; kërkohet nga neni 40.3 i Ligjit për deputete”, thotë paragrafi 80.

Edhe sipas paragrafit 83 të këtij aktgjykimi ‘Të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi te gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës qe i zgjodhën ata’.

Ndërsa në aktgjykimin e datës 26 gusht të vitit 2016, paragrafi 128 tregon se të gjithë deputetët duhet të votojnë.

“Konstituimin e Kuvendit, të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyre të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”, thuhet në paragraf.