Engel: Është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës

Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel, ka deklaruar se është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Këtë deklaratë Engel e ka thënë në seancën dëgjimore të Kongresit Amerikan me temën “Ballkani: Rekomandimet politike për Administratën e ardhshme”.

“Është koha që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Të njohë faktin që pavarësia e saj është e pakthyeshme. Jam shumë krenar për atë që kemi bërë më 1999, kemi parandaluar gjenocidin. Por ky nuk është fundi, shumë njerëz janë vrarë e dhunur dhe drejtësia mbetet ende për t’u bërë ”, tha ai.

Kongresisti ka folur edhe për sukseset e Kosovës.

“Kam vizituar shumë vende në Ballkan ndër vite, por askush nuk ma preku zemrën si Kosova. Kosova është vend i pavarur, për më shumë se një dekadë është i pavarur. Më shumë se 100 vende e kanë njohur pavarësinë e saj, përfshirë SHBA-në dhe vende të tjera të rëndësishme. Kosova është e njohur edhe me sportin dhe muzikën”, shtoi ai.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Engel tha se kjo gjykatë po gjykon në baza etnike.

“Kushdo që ka kryer krime të luftës, duhet të sillet para drejtësisë. Në juridiksion të gjykatës askund nuk shkruan që do të ndjekë vetëm një etnitet, por kjo po ndodh. Krimet e luftës duhet të trajtohen në mënyrë të paanshme”, theksoi ai.

Në këtë seancë dëgjimore po marrin pjesë edhe  ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright dhe udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, Daniel Serwer.