Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Eman Rrahmani: Është jonormale dallimi në poentim mes britanikëve dhe komisionit vendor

Eman Rrahmani, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, e quajti “shqetësues” dallimin në vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së ndërmjet tre gjyqtarëve vendorë dhe britanikëve.

“Ne si Komision për Buxhet ende nuk kemi pranuar zyrtarisht lista nga vendorët. Është jo në rregull sepse unë kam pasur përvojë që të jem bashkë me britanikët në komisione dhe të ketë një dalim të tillë është jonormale. Duhet të shohim arsyeshmërinë se pse bëhet ky ndryshim në mes dy listave. Është shqetësuese ky poentim”, tha Rrahmani në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ndërkaq, Visar Prebreza nga KALLXO.com ka sqaruar se janë edhe dy kandidatë, të cilët nuk janë përfshirë në listën e britanikëve ndërsa janë në listën e komisionit vendor.

“Është një proces i stërzgjatur që nga 2019. Si proces nuk ka pasur ndonjë shkelje deri në poentim. Dallimi është goxha i madh. Si shembull edhe kandidatët,  Adem Spahiu dhe Hasim Krasniqi sipas britanikëve nuk i plotësojnë kushtet për të qenë të emërueshëm ndërsa sipas gjyqtarëve vendorë ata janë”, tha Prebreza.

Ndërkaq ai shtoi se vetëm vitin e kaluar Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur për fatin e 1 mijë e 200 ankesave.

“Vetëm vitin e kaluar OShP-ja ka vendosur për 1200 ankesa. Është organi që merr vendim për secilin fat të tenderëve në Kosoë. OShP është njëri ndër institucionet më të rëndësishme të ekonomisë së vendit”, shto ai.

Në “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar emisioni në lidhje me krizën në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord që nga marsi i këtij viti ndërsa ende Kuvendi i Kosovës nuk ka pranuar emrat e kandidatëve për anëtarë të këtij bordi.

KALLXO.com ka raportuar për dallimet në poentimin e kandidatëve për anëtarë të bordit të OShP-së mes tre gjyqtarëve vendorë dhe përfaqësueseve të Ambasadës britanike që kanë marrë pjesë në vlerësim.