Ministri Financave, Hekuran Murati duke raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Foto:Mediana Halili, KALLXO.com 05.06.2023

‘Ku e ke problemin me deputetët?’ – Debati mes Hekuran Muratit e Eman Rrahmanit të LVV-së

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në komisionin për buxhet ka debatuar me deputetin Eman Rrahmani nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me asistentët për deputetët.

Ministri Murati ka deklaruar se ka më pak këshilltar se sa deputetët.

Deputeti Rrahmani e ka kundërshtuar duke thënë se “Nuk mundesh me thanë të pavërteta, ju prap keni më shumë (këshilltarë) se sa deputetët kanë”.

Rrahmani ka vazhduar me pyetje, “Sa këshilltarë janë komplet në ekzekutiv nëse jep kësi vlerësime për deputetë?”.

Ministri është përgjigjur shkurt për numrin e këshilltarëve në ministri.

“Një ministër i ka 6 këshilltarë, 15 ministri bëjnë 90 këshilltarë i nderuar deputet” – ka thënë Ministri Murati.

Deputeti Rrahmani gjithashtu iu ka drejtuar me pyetje se “ku e ki problemin me deputetë”, ndërsa Murati është përgjigjur duke thënë që s’ka probleme të tilla.

“Atëherë pse po i sulmon sa herë po vjen në komision, po thu të pavërteta, po thu që këshilltarët e deputetëve ka më shumë se në qeveri, sa është numri i atyre, thuaje numrin dhe jemi në rregull” – ka thënë Rrahmani.

Ministri Hekuran Murati është duke raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe është duke u diskutuar shqyrtimi i raportit vjetor financiar për buxhetin e republikës së Kosovës për vitin 2022.