Doli kundër grupit parlamentar të partisë, deputeti i LVV-së tregon pse qëndroi në seancë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka treguar arsyen se përse nuk iu bashkangjit bashkëpartiakëve të tij për t`u larguar nga seanca e jashtëzakonshme në të cilën po diskutohet për koeficientin e pagave.

Rrahmani tha se në seancë ka qëndruar për të dhënë një mesazh që sipas tij seancat nuk duhet të bojkotohen pavarësisht se nga kush thirren.

“Unë qëllimisht nuk u largova, për me qëndru këtu që me jep një mesazh se nuk duhet të bojkotohen seancat nga kushdo që thirren. Në qoftë se kemi kundërshtime duhet të kundërshtohet dhe të diskutohet këtu në Kuvend, për shkak që nuk besoj që kontribojmë asnjëri, opozita me bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e as pozita me bojkotimin e seancave të thirrura nga opozita”- deklaroi Rrahmani.

Ai theksoi se kjo situatë është e papranueshme teksa shton se “ka tendencë të polarizimit edhe e vënies në grackë qoftë të pozitës ose të opozitës për t`u dëmtuar më shumë politikisht se për të pasur hallin apo kujdesin e vendit”.

“Mua nuk po më habit fakti duke i pa edhe rastin ose gjendjen dhe përballjet kundërshtimet që po bëhen në rastin e dialogut, nëse aty nuk po arrijmë të gjejmë një koordinim pozitë e opozitë sidomos në fazën që kemi hyrë në fazën më vendimtare për vendit tonë, cështjet tjera janë shumë më kuptueshme për secilin për mos me pasë pajtime”- u shpreh Rrahmani.

Për çështjen e koeficientit, deputeti i LVV-së tha se është punë javësh se kur do të sillet ligji për buxhetin në Kuvend dhe se sipas tij aty mund të bëhen propozimi i amendamenteve apo edhe te bëhen diskutime.

“Sa i përket koeficientit, është çështje javësh kur vjen ligji për buxhetin dhe aty e kemi mundësinë secili, qoftë me amendamente e me diskutime. Nuk jam kundër diskutimeve për këtë çështje, kam ngritë shumë herë si çështje edhe në seancë edhe jashtë. Koeficienti është i ulët ai duhet të rritet, njerëzit kanë fillu me u largu prej institucioneve publike. Kam kërku që të rritet paga minimale për shkak se nuk duhet të kemi një nivel të tillë të pagës pasi edhe vendet e rajonit e kanë dyfish më të madhe”- tha ai.

Rrahmani u ka bërë thirrje deputetëve të gjejnë unitet edhe pse siç u shpreh ai, e di se i takon më shumë pozitës të krijojë bashkëpunim mes ligjvënësve.

“Ju bëjë thirrje që të angazhohemi ta gjejmë një unitet, e di që kjo përgjegjësi i takon më shumë pozitës për me e kriju bashkëpunimin dhe unitetin mes vete dhe të ecim edhe me marrëveshje ndërkombëtare edhe me te tjerat. Sa për dialogun jemi tu hy me një fazë vendimtare dhe besoj që kemi me mbetë në histori qoftë për të mirë qoftë për të keq”- ka deklaruar Rrahmani.

Me kërkesë të shefit të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka hapur punimet e seancës së jashtëzakonshme që në rend dite ka debatin parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave.

Ndaj vendimit të Konjufcës janë revoltuar bashkë partiakët e tij, të cilët janë larguar nga salla e Kuvendit.

Deputetët e LVV-së kanë kërkuar që të përfundohet seanca paraprake e cila në rend dite kishte për të trajtuar edhe katër pika, mirëpo Konjufca vazhdoi me seancën e jashtëzakonshme.

Në seancë po qëndron deputeti Eman Rrahmani nga radhët e LVV-së.

LVV-ja largohet nga seanca e jashtëzakonshme për pagat, përveç njërit deputet