Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rrahmani: Distancohem nga qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për Trustin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se është pro tërheqjes deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti por duke propozuar disa mënyra se si mund të bëhet tërheqja.

Rrahmani tha se distancohet nga deklarata e deputetit Armend Muja i cili tha se qëndrimin i Grupit Parlamentar të LVV-së është kundër.

“Unë personalisht distancohem nga fjalimi i i zotërit Muja ku në emër të grupit parlamentar paraqiti ato qëndrime” – ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se do ta prezantojë një amadament në të cilin do të përfshihej kushti i tij për rikthimin e mjeteve të tërhequra te kontributdhënësit.

“Mendoj se tërheqja e mjeteve mund të propozohet në dy raste: njëra është për trajtim shëndetësor. Në këto raste mendoj se duhet që secili prej nesh ta mbështet tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Rasti i është që të përfitojë në një situatë në ditët e sotme kur gjendja ekonomike nuk është e mirë për shumë arsye, e më së paku për arsye të kësaj qeverie. Unë do të prezantoj që tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind të kthehen si rimbursim te kontributdhënësit në një periudhë 10-vjeçare” – ka thënë ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja ka paraqitur rekomandimin e komisionit, pastaj ka folur si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

“Nuk rekomandojmë tërheqjen dhe në emër të grupit parlamentar nuk kemi argument tjetër përpos të rekomandojmë deputetët tanë që të mos e votojnë” – tha Muja.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka rekomanduar miratimin e Projektligjit për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit.

Ndërsa, dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës  i kanë dhënë mbështetje tërheqjes prej 30 për qind të Trustit.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend më 15 korrik 2022, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Fillimisht projektligji për Trustin ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.