Ekipi i “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës” organizon takime dialogu me të rinjtë nga Peja e Gjakova

Më 29 dhe 30 qershor, “ERA Group” në partneritet me “BIRN Kosovën”, “CEE Bankwatch” dhe “TV Mrezha”, kanë organizuar dy takime dialogu me të rinj nga komuna e Pejës dhe e Gjakovës në kuadër të ‘Javës së Energjisë së Gjelbër 2021’.

Qëllimi i këtyre takimeve dialoguese ishte të promovohen praktikat më të mira të efiçiencës së energjisë dhe ambientit nga të rinjtë nga Peja dhe Gjakova.

Takimet filluan me prezantimin e drejtorit ekzekutiv të “ERA Group”, Fatos Lajqi, të nenit 52 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thotë që: “Natyra dhe biodiversiteti, mjedisi jetësor dhe trashëgimia kombëtare, janë përgjegjësi për secilin”.

Gjatë diskutimit u prezantuan arritjet kryesore të partnerëve të projektit dhe OJQ-ve bashkëpunuese mbi mbrojtjen e ambientit dhe praktikat më të mira për uljen e dëmeve mjedisore.

I ftuari i dytë në këto takime ishte Fatos Katallozi nga “Outdoor Kosova”, i cili diskutoi për çështje më të ngutshme mbi ambientin lidhur me efiçiencën e energjisë.

Shembuj praktikë të mbrojtjes dhe ruajtjes së energjisë, lumenjve dhe ambientit në tërësi u shpalosën në këto takime.

Sesioni i fundit u zhvillua nga redaktori menaxhues i “BIRN Kosova”, Visar Prebreza, i cili i mësoi të rinjtë nga Peja dhe Gjakova për bazat e gazetarisë hulumtuese në fushën e ambientit si dhe mjetet gazetareske për të avokuar për një ambient të pastër përmes gazetarisë hulumtuese.

Pas diskutimit nga të ftuarit në takime, pjesëmarrësit zhvilluan punë në grupe, ku patën mundësitë të shkëmbejnë informata dhe ide mbi avokimin ndaj mbrotjen e mjedisit si dhe përgatitën prezantime me problemet më të ngutshme mjedisore në komunitetet e tyre, të cilat më pas i prezantuan dhe gjetën zgjidhje për to.

Ky aktivitet u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i agjendës mjedisore të Kosovës”. “Ditët e Energjisë së Gjelbër” do të zgjasin deri më 7 korrik 2021.