Rizvanolli: Strategjitë e ardhshme për energji nuk do të jenë lista dëshirash

Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese  – BIRN në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përmendur projektet të cilat pritet të realizohen në sektorin e energjisë në vitet e ardhshme.

“Strategjia e ardhshme, për dallim prej strategjive të kaluara nuk do të jetë një listë dëshirash, ku do të kemi edhe shumë burime të ripërtrishme edhe gaz, e shumë çka tjetër”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja ka përmendur dy nga projektet të cilat do të realizohen në dy vitet në vazhdim.

“Projektet të cilat kanë filluar janë “Solar for Kosovo”, “Projekti i Ngrohjes Qendrore Solare” në Prishtinë, i cili do ti shtojë 70 megavat kapacitetit aktual 140 megavat, do të thotë rritje për 50% të kapacitetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë”, ka thënë Rizvanolli.

“Projekti i dytë, i cili planifikohet në afat shumë të shkurtër është ndërtimi i prakurt solar të parë në Kosovë në KEK, në kapacitet prej 100 megavat, të dy këto projekte pritet që të realizohen brenda viteve të ardhshme”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka bërë të ditur se deri në fund të vitit kanë synim që të lansojnë ankandin për park solar në Kosovë për investitorët privatë, në kapacitet 50-100 megavatë.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.