Alban Hyseni- Ditët e Energjisë së Gjelbër 2022
Alban Hyseni: Gjatë mandatit tim Gjilani do të bëhet qyteti më i gjelbër dhe më ekologjik në Kosovë
Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN në kuadër të aktiviteteve për “Ditët e Energjisë së Gjelbër”, Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se janë duke punuar që të ndryshojnë jetën e qytetarëve dhe që të kenë jetë më të mirë urbane.
“Problemi ynë kryesor në Gjilan janë ujërat e zeza, por ky problem ka filluar tashmë të zgjidhet. Ne jemi takuar me firmën konsulente për impiantin e ujërave të zeza. Po ashtu Gjilani ka më së paku zona gjelbërimi në pjesën urbane e po ashtu edhe ndotje akustike. Ne i kemi vënë synim vetes që Gjilani të jetë qyteti më i gjelbër dhe më ekologjik në Kosovë”, ka thënë Hyseni.
Hyseni po ashtu ka thënë se janë duke punuar në pastrimin e qytetin dhe gjelbërimin e tij. E po ashtu ai ka deklaruar që përditshmëria e qytetarëve do të bëhet më e mirë në mandatin e tij.
“Ka koncepte për qytete 5, 10 dhe 15 minutëshe që kanë të bëjnë me dizajnin urban dhe ne jemi duke punuar që t’u japin qytetarëve përditshmëri më të mirë”, ka shtuar ai.
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN më 19 maj ka organizuar konferencën e nivelit të lartë në kuadër të aktiviteteve për Ditët e Energjisë së Gjelbër.
“Ditët e Energjisë së Gjelbër” është një seri aktivitetesh që BIRN Kosova me partnerët organizojnë për herë të dytë në kuadër të projektit “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.
Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.